Balluku: 14 milionë vizitorë pritet të vizitojnë vendin tonë në 2024-ën
Mbahet ditën e sotme Konferenca për Investime në Turizëm dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës dhe Shqipërisë.
E pranishme në këtë aktivitet është edhe zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku ka thënë se projeksioni për vitin 2024 mund të kalojë 14 milionë turistë që pritet të vizitojnë vendin tonë.
Sipas saj, puna e një 10 vjeçari të jashtëzakonshëm dhe mundi i shqiptarëve që po ndërtojnë deri tek hotelet, do të shpërblehet me këtë vit të jashtëzakonshëm, me sezonin e 2024-ës.
”Qeveria shqiptare në 2024 ka fokus të veçantë ngritjen e burimeve njerëzore, fokusuar në arsimin profesional. Ne po punojmë në qeveri dhe Mirela ka një nga detyrat, ngritjen e kapaciteteve humane që do të shërbejnë. 14 milionë vizitorë presim në 2024-ën, ndoshta ky projeksioni jonë për 14 milionë do të tejkalohet duke vënë në një sfidë të jashtëzakonshme duke filluar tek industria dhe deri tek hoteleria.
Jemi të sigurtë që do të shkojmë këtë sezon, Shqipëria do të shfaqet në show të madh të kësaj skene. Edhe në Australi, Shqipëria është bërë shumë e famshme. Tashmë që të gjitha yjet janë bashkë, që puna jonë e një 10 vjeçari të jashtëzakonshëm, mundi i shqiptarëve në vend që po ndërtojnë deri tek hotelet, ka ardhur koha për t’u shpërblyer me këtë vit të jashtëzakonshëm, me sezonin e 2024-ës”, tha Balluku.
Më tej, Balluku ka theksuar disa nga projektet më të rëndësishme në vend që shërbejnë për zhvillimin e turizimit.
”Shqipëria e ka në dejet e saj, është pjesë e gjenetikës tonë të mirëpresim mikun. Ka ardhur koha që t’i organizojmë e t’i fusim në autostradë të duhur, për ta kthyer turizmin në një industri të mirfilltë të bazuar në plane e fakte dhe që tashmë luan rol të rëndësishëm të vendit. Më duhet të kontribuoj përsa i përket ngritjes të infrastrukturës së dobishme.
Ne kemi nisur punën për ndërtimin e Korridorit të 8, një më të rëndësishmet të ndërlidhjes, një nga korridoret e sigurisë. Korridori Blu tashmë ka nisur dhe gjatë këtij viti do të dorëzojmë, Thumanë-Kashar, që do të lidhë Tiranën, aeroportin dhe pjesën veriore të Shqipërisë për të lehtësuar trafikun. Gjithashtu, tuneli i Llogarasë do të hapë një barrierë natyrore. 7 minuta nga Dukati në Palasë, për këtë rrugëtim duhet më shumë se 45 minuta për ta përshkruar sot”, theksoi ajo.