Balluku në kantierin e rrugës Berat-Ballaban: Lidh tre bashki, çliron një potencial ekonomik dhe turistik
Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren Belinda Balluku, inspektuan kantierin e punimeve në rrugën e vjetër ish-kombëtare Berat-Këlcyrë-Përmet. Në një postim në Facebook, Balluku shkruan se ky investim lidh tre bashki, si edhe çliron një potencial ekonomik dhe turistik. Gjatë inspektimit, zv/kryeministrja Balluku përgëzoi kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demo, për faktin se procesi i shpronësimeve për të nisur ndërtimin e rrugës ka ecur me ritme të shpejta. Sa i përket ecurisë së punimeve, Balluku u shpreh besimplotë se aksi mund të hapet për qarkullim në fund të këtij viti.
”Jemi në një segment të rëndësishëm rrugor Berat-Ballaban, një segment rreth 60 km, i cili lidh tre bashki të rëndësishme, atë të Beratit, Përmetit dhe Tepelenës. Këtu jemi në lotin e parë dhe ecuria e punimeve është rreth 27%, por nga sa po diskutoja më përpara me gjithë skuadrën që punon mund ta mbarojmë dhe në fund të këtij viti, në rast se gjithçka na shkon siç duhet.
Për të thënë të drejtën këtu të gjitha problematikat që kemi pasur me shpronësimet dhe gjithçka tjetër e pjesë të tjera ku ka pasur një zë pushteti vendor na ka ecur shumë shpejt për të thënë të drejtën. Është diçka që duhet të përgëzojmë bashkinë e Beratit.
Kjo është një rrugë e kategorisë F. Kemi nisur nga ana e Tepelenës, pra kemi nisur nga ura e Ballabanit. Atje ecuria është 67% sot që flasim, në ndërkohë që në lotin e dytë pastaj është diku në të njëjtën ecuri, rreth 30% është atje, 27% është këtu. Siç thamë me kompaninë që po bisedonim sot ka shumë mundësi që ta mbyllim brenda vitit, deri në dhjetor. Krahu tjetër lidh me Vithkuqin”, sqaroi Balluku.
Kryeministri Rama vlerësoi punën për ndërtimin e kësaj nyje të rëndësishme për zonën jugore të vendit dhe tha se projektet do të vazhdojnë me rrugë të reja. ”Shikoj që është e qëndisur komplet, e punuar bukur, fantastike. Këtu për agroturizëm është komplet fantastike. Aty duam ta vazhdojmë, do ta lidhim me Korçën pastaj me Vithkuqin dhe bëhet e gjitha e re”, deklaroi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

