Ballukut firmos me Gjermaninë marrëveshje prej 50 milion eurosh për përmirësimin e furnizimit me ujë dhe kanalizimet

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, nënshkruan sot marrëveshjen “Programi infrastruktura bashkiake V, pjesa e dytë”, i cili ka në fokus përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimeve të ujërave të përdorur dhe trajtimit të tyre në disa bashki të vendit.

Zv/kryeministrja Balluku bëri të ditur se marrëveshje prej 50 milionë eurosh kontribuon në përmirësimin e sistemit me ujë të pijshëm dhe ujërave të përdorura urbane dhe se prioritet do të jenë zonat turistike. “Qeveria gjermane është një nga partnerët tanë strategjikë më të qëndrueshëm dhe mbështetës për sa i përket edhe rolit tashmë shumë të rëndësishëm që Shipëria luan në Ballkanin Perëndimor”, tha Balluku.

Zv/kryeministrja u ndal në ecurinë e sektorit të turizmit në vendin tonë në dy vitet e fundit, ku theksoi se deri tani numërohen 8.3 milionë turistë, ndërsa pritet që kjo shifër të arrijë në 10 milionë turistë në 10 vitet e fundit. Balluku bëri të ditur se shifra prej 10 milionësh e gjeti të papërgatitur disi vendin, pasi ishte projeksion për t’u arritur në vitin 2027.

“Këtyre shifrave na duhet t’u përgjigjemi me investime e kryesisht në infrastrukturë. Marrëveshja ka një vlerë prej 50 milionë euro. Parashikon investime të rëndësishme në sektor, si dhe masa për forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e performancës të shoqërive rajonale të ujësjellës kanalizimeve për bashkitë që do të përfshihen në program”, shtoi Balluku.

Sipas saj, performanca në projektet e mëparshme, ka qenë ajo që ka definuar se si do të përzgjidheshin bashkitë. “Këto janë projekte të cilat bazohen mbi performancën e secilës bashki apo të secilës ndërmarrje. Ne kemi bërë një reformë të thellë për sa i përket menaxhimit të ujësjellës kanalizimeve, duke agreguar të gjitha ato ndërmarrje të vogla që qëndronin të shpërndara në 61 bashki dhe me një diferencë të madhe performance mes njëra-tjetrës, të cilat sot kanë një fuqi tjetër si për sa i përket ofrimit të shërbimeve, si për sa i përket ekspertizës, pra inxhinierëve që punojnë aty, teknikëve të mesëm etj., dhe sigurisht bazës materiale, duke i dhënë kështu menaxhimit të madh, në krye që është AKUM-i, një mundësi për të vlerësuar performancën e secilit nga agregimet akoma më mirë”, deklaroi Balluku.

SHKARKO APP