Bamir Topi: Rama duhet të bëjë transparencë për rolin e tij në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë

Ish-Presidenti Bamir Topi shprehet se reforma zgjedhore e miratuar në Këshillin Politik nga qeveria dhe opozita nuk jep garanci për zgjidhjen e problemeve të zgjedhjeve. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-kreu i shtetit argumenton se përderisa palët nuk kanë hyrë në çështjet kryesore të zgjedhjeve, duket se janë të interesuara të ruajnë marrëveshjen e prillit 2008 që e mban situatën në duart e kryetarëve. Lidhur me një bashkëpunim me Partinë Demokratike, Topi shprehet se “çdo bashkëpunim kërkon premisa serioze në mënyrë që të mos kthehet në dështim apo të qëndrimeve në sipërfaqe e pa rezultate të mira”.

Ish-Presidenti ka komentuar dhe zhvillimet në Kosovë dhe rolin e Tiranës zyrtare. Ai shprehet se ndërhyrjet e Tiranës nuk kanë ndihmuar në forcimin e Kosovës, por shpesh herë kanë dëmtuar. Lidhur me detajet e publikuara nga ish-Këshilltari i Shtëpisë së Bradhë, John Bolton, Topi shprehet se kryeministri Edi Rama duhet të japë sqarime për rolin e tij. “… Kryeministrit Rama i del një detyrim institucional, politik dhe personal të bëjë menjëherë transparencë se cili ka qenë roli i tij në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë. Çdo minutë që kalon rëndon pa masë pozicionin e tij. I takon politikës kosovare të gjykojë mbi sjelljen e politikanëve të saj, ndërsa në Shqipëri kërkohet një veprim që nuk e shikoj tek askush në Kuvend. Duhet që dikush nga deputetët e opozitës të thërrasë në interpelancë Kryeministrin për të bërë transparencë me çka shkruhet në librin e ish-Këshilltarit të Sigurisë së SHBA, Bolton”,- deklaron ish-Presidenti Bamir Topi.

Intervistoi: Mili Xhani

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kreu i PDK, Kadri Veseli janë paditur për krime gjatë luftës në Kosovë. Për mënyrën dhe kohën kur u publikua njoftimi i padisë, mendoni se kemi të bëjmë më një komplot kundër Kosovës apo padia ndaj individëve të veçantë nuk ndikon në negociatat me Serbinë dhe ecurinë e Kosovës?

Ftesa e prokurorit special për z.Thaçi e z.Veseli nuk mund të gjykohet për faktin pse u është drejtuar, pasi kjo përflitej prej kohësh. I takon një procesi ndaj grupit drejtues të UÇK që duhet të kishte përfunduar prej kohësh tek e cila personalisht kam parë me bindje një kauzë legjitime për t’iu përgjigjur genocidit të makinerisë shtetërore të Serbisë. Sipas këndvështrimit tim personal, koha e zgjedhur më krijon dyshimin se ka interferenca të drejtpërdrejta politike nga individë apo qarqe në Europë pikërisht për të dështuar takimin e planifikuar në Washington më 27 qershor. Pra, Thaçi është thjeshtë sebepi nga i cili kuptojmë se Kosova sot qëndron në mes të pozicioneve të ndryshme dhe dukshëm shumë problematike për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Analiza politike për çka po ndodh është shumë e thjeshtë ndonëse situata është e ndërlikuar. Po të kthehemi në situatën e vitit 1999, vendimmarrja për të neutralizuar qëllimin kriminal të Millosheviçit ka qenë e kthjellët në emër të interesave së pari njerëzore, por dhe politike. Kjo i dedikohet veprimit të harmonizuar të vendeve të NATO-s dhe kryesisht SHBA dhe Britanisë. Nga kjo pikëpamje, luftën nuk e kanë bërë të gjithë njësoj, madje koha ke treguar se disa vende europiane nuk e njohin ende Kosovën si shtet. Me kalimin e kohës, lidershipi i ri i disa vendeve europiane ka dëshmuar një afinitet të dobët karshi Kosovës dhe një simpati të qartë ndaj Serbisë, ndonëse kjo e fundit ende ruan të njëjtin sentiment politik dhe posesiv ndaj një territori që e ka humbur ligjërisht më 17 shkurt 2008 dhe se para anëtarësimit në BE besoj se çështje dominante ka Kosovën. Natyrisht, kjo është një ëndërr e shprishur, por kohë pas kohe trazon rëndë ujërat Euro Atlantike. Nuk është e rastit pse qytetarët e Kosovës kanë mbetur të izoluar në geto pa të drejtë lëvizje kur kanë patur mundësinë të ishin të lirë me pasaportat e Titos qysh nga viti 1974. Atëherë kjo Europë që ëndërrojmë a ka bërë me predispozicion lëvizjet e duhura drejt qytetarëve të Kosovës. Unë them jo. A ka përgjegjësi politika shqiptare në përgjithësi dhe ajo kosovare në veçanti? Unë them padyshim po.

Si një dëshmitar okular i ngjarjeve që paraprinë Shkurtin e vitit 2008 dhe në vazhdim politikanët e Kosovës kush më shumë e kush më pak harruan nga kishin ardhur dhe se cili ishte misioni më i rëndësishëm për Kosovën. Nga një epërsi e fortë reale e psikologjike për të rivendosur historinë moderne të Kosovës mbi baza të një demokracie e një vizioni perëndimor, ranë në batakun e luftës e grindjeve ballkanike për pushtet duke dobësuar qëllimin e kauzës dhe të institucioneve duke prezantuar ndërkombëtarisht atë që preferonin miqtë e Serbisë në Europë. Kjo, padyshim jo rrallë herë ka vendosur në vështirësi përfaqësuesit e SHBA si miq të vërtetë të shqiptarëve.

Largimi i shpejtë nga Presidenca i Z.Sejdiu, periudha 45 ditore e Presidentit në vazhdim z.Pacolli, ndarja e dukshme dhe interesat politike të udhëheqjes së UÇK-së, sollën pështjellime dhe ndaj një shoqërie të traumatizuar kosovare. Për këtë gjë faji nuk ishte i Serbisë apo i miqve të saj në Europë, por i atyre që morën fatet e drejtimit në paqe.

Sjellja politike e diplomatike filloi të shfaqej me probleme e defekte të mëdha, kjo e ushqyer nga hienat e politikës në Tiranë që asnjëherë nuk e lanë Kosovën në të drejtën e saj për të luajtur dhe vendosur vetë, kjo edhe në kushtet kur politikanët kosovarë as nuk kanë pritur këshilla dhe as kanë kërkuar të tilla nga politikanët e Shqipërisë. Këta të fundit e kanë shfrytëzuar për të bërë patriotin kur situatën në Shqipëri e kanë patur me probleme.

Me fjalë të tjera, a vazhdon të ketë politika shqiptare në tërësi dhe ajo kosovare në veçanti mbështetjen e vitit të parë të Pavarësisë. Jo dhe jo. Dhe kjo është shumë e rëndë kur dështimi i takimit në Washington vjen në ditën kur Presidenti i Serbisë Vuçiç rikonfirmohet me mbi 60% të votave në vendin e tij, çka tregon jo vetëm pushtetin autoritar, por dhe një vlerësim të bashkëkombësve të tij në raport me betejën politike për Kosovën.

Kjo dëshmon gjithashtu një dështim të sjelljes politike të Tiranës zyrtare, që para se të ekspozonte me pompozitet vizitën e takimet e Kryeministrit duhet të demonstronte konsulta dhe kohezion me drejtuesit e Kosovës. Fjalimet emotive patriotike sot tingëllojnë false e pa vlerë. Bota rreth nesh nuk vepron me deklarata, por me veprime konkrete dhe partneritet që ndonëse nuk na vjen mirë e kanë arritur më mirë se ne.

Në këto kushte, kam frikë se politika në Kosovë nuk do të nxjerrë mësime dhe do të vazhdojë të merret me vetveten.

Natyrisht Kosova ka miq të rëndësishëm në Europë, por kontinenti plak ka dhe rryma kundër dhe ndonjëherë edhe pas shpine që bëjnë pjesë në kontekstin historik të aleancave të vjetra Euro-ballkanike ku shqiptarët kanë dalë të copëtuar. Është koha të rikonfirmojmë mirënjohje, respekt dhe zbatim të këshillave të urta në radhë të parë nga aleati ynë historik e strategjik SHBA dhe vendet mike të Shqiptarëve në Europë që të mos i zhgënjejmë më me lojën tonë për pushtet personal kur çështja shqiptare është lënë në dorë të dytë.

Nëse për 21 vjet nga përfundimi i luftës ende ka njerëz që nuk e kanë zgjidhur problemin se kush e ka kryer genocidin në Kosovë, sigurisht është punë e tyre dhe institucioneve ku paguhen. Çështja pse politikanët kosovarë dhe institucionet kanë ardhur në këtë ditë nga më të vështirat pas 17 shkurtit 2008, kjo është pa mëdyshje rezultat i vetë shqiptarëve. Pse zihemi në shtëpinë tonë, fajin nuk ka pse ta hedhim nga komshiu, për më tepër një komshi që na ka rrëmbyer territore dhe shumë jetë njerëzore.

 

Si e gjykoni qëndrimin e qeverisë dhe personalisht të Kryeministrit Edi Rama ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe cila duhet të jetë mënyra më e përshtatshme e sjelljes së Shqipërisë përballë problemeve të Kosovës?

 

Pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet në vitin 2013, marrëdhëniet me Kosovën filluan të dalin nga rrafshi institucional dhe të dominohen nga politika dhe emocione personale, të cilat morën rëndësi vetëm në formë dhe jo në përmbajtje. Dy linjat kryesore të sjelljes politike të Kryeministrit ishin reklamimi i mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, ku më shumë rëndësi kishte rrugëtimi me autobus drejt Kosovës, se sa vizioni dhe vendimet që dilnin nga këto mbledhje.
Së dyti, Rama e përdori këtë mënyrë sjellje për të dëshmuar paternalizëm të Qeverisë së Shqipërisë kundrejt asaj të Kosovës në marrëdhënie me Serbinë, e cila prej vitesh pikërisht këtë kishte kërkuar, me qëllim injorimin e ekuivalencës me Kosovën.
Politika e Qeverisë shqiptare është dominuar këto vite mbi deklarata dhe aspak në veprime konkrete, me përplasje dhe jo kohezion të detyrueshëm shtetëror dhe patriotik, më shumë sjellje ironike deri në cinizëm sesa komunikim vëllazëror, me përzgjedhje të bashkëpunimit me individë të veçantë dhe jo politikë e bashkëpunimit me të gjithë faktorët, sikurse i takon politikës së institucioneve të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe anasjelltas.
Dhe ja ku jemi sot, pas 12 vitesh nga 17 shkurti 2008, marrëdhëniet janë pa rezultate konkrete, madje të përkeqësuara dhe kaotike qoftë përsa i përket politikave ekonomike, por edhe në kontekstin e njohjeve të Kosovës dhe perspektivës së saj. Madje, kjo e fundit është shoqëruar së fundmi me pikëpyetje të mëdha ku Kryeministrit Rama i del një detyrim institucional, politik dhe personal të bëjë menjëherë transparencë se cili ka qenë roli i tij në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë. Çdo minutë që kalon rëndon pa masë pozicionin e tij. I takon politikës kosovare të gjykojë mbi sjelljen e politikanëve të saj, ndërsa në Shqipëri kërkohet një veprim që nuk e shikoj tek askush në Kuvend. Duhet që dikush nga deputetët e opozitës të thërrasë në interpelancë Kryeministrin për të bërë transparencë me çka shkruhet në librin e ish-Këshilltarit të Sigurisë së SHBA, Bolton.

 

Gjatë Presidencës tuaj i është kushtuar një rëndësi të veçantë raporteve me Kosovën. Si shpjegohet që sot mes dy vendeve ka më shumë marrëveshje të nënshkruara, por me pak bashkëpunim konkret? 

 

Është besoj e vërtetë që një pjesë e rëndësishme e agjendës së institucionit i dedikohej Kosovës, fillimisht në funksion të pavarësimit të saj e më pas të bashkëpunimit intensiv e të koordinuar politik e diplomatik për njohje në planin ndërkombëtar. Qoftë në seancat plenare të OKB-së, por dhe samite rajonale e më gjerë Kosova kishte pjesën e saj. Në tre vizita zyrtare në Kosovë gjatë presidencës sime i jam drejtuar Kuvendit të Kosovës me mesazhe inkurajimi për kohezion e harmoni të të gjithë faktorit politik Kosovar dhe kam qenë i qartë se i takonte ekskluzivisht Kosovës të përballonte dialogun me Serbinë, pa ndërhyrjen e Tiranës në këtë proces.
Vitet e fundit shoh prirje tjetër, ku ka përçarje në mes të politikës dhe politikanëve kosovarë, ku jo rrallë përfshihen dhe politikanët në Tiranë. Sigurisht kjo nuk është rruga e duhur.

 

Në procesin e integrimit çdo vit bëjmë hapa pas. Nga 3 kushte dikur sot kemi 15 nga Brukseli. Për qeverinë pengesat në procesin e integrimit lidhen me problemet e BE. Për opozitën dështimi mban vetëm firmën e qeverisë. Në këto justifikime kush është përgjegjësi real për largimin nga BE? 

 

Integrimi në BE është një proces i ndërlikuar e kompleks që ka filluar prej shumë vitesh në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE. Sigurisht kushtet nuk janë të lehta për ne në Shqipëri që jemi mësuar ti shpëtojmë rregullave të lojës. Është e vërtetë që Europa ka problemet e veta por mendoj se nuk mund të shërbejë si alibi për Qeverinë shqiptare që i shtohen kushtet. Nuk besoj se ka sot një zë që të thotë se gjërat në Shqipëri po vijnë duke u përmirësuar. Fakti që ende problemi madhor i yni është demokracia tregon qartë se me fjalë vërtetë jemi në Europë, ndërsa me veprime i largohemi duke na u shfaqur gjithnjë e më shumë si mirazh. Problemet me votën, ligjet, korrupsionin dhe me cenimin e rëndë të institucioneve deri në asgjësimin e tyre lenë një shije të hidhur dhe të papranueshme tek ata të cilët kyçin e suksesit e kanë tek efiçienca e institucioneve

 

Qeveria dhe opozita kanë arritur marrëveshjen për reformën zgjedhore. A e zgjidh kjo marrëveshje problemin që ka Shqipëria me zgjedhjet?

 

Çështja e zgjedhjeve është parësore në demokraci. Ajo duhet të jetë në qenien e çdo njeriu të civilizuar. Sipas meje marrëdhëniet qeveri-opozitë nuk japin ndonjë garanci më shumë sepse në vite kanë qenë bashkërisht përgjegjëse për degjenerimin e procesit zgjedhor në Shqipëri. Fakti që nuk kanë pranuar të hyjnë në zemër të reformës tregon qartë se duan të ruajnë 21 prillin e 2008, që ndryshoi për keq marrëdhëniet e elektoratit me partitë politike duke e kthyer situatën në Shqipëri si domen i partitokracisë së kryetarëve.

 

Ajo që njihet si opozitë parlamentare ka kërkuar ndalimin e koalicioneve dhe lista të hapuara. A e ka legjitimitetin kuvendi aktual që të miratojë këto ndryshime që prekin sistemin? 

 

Së pari, ky Kuvend mund të ketë shumë probleme të funksionalitetit të tij qofshin të moralit politik dhe nivelit intelektual, por edhe të funksionit të cunguar numerik, por ai vazhdon të quhet legjitim dhe sa kohë ka numrat pyetja nuk mund të shtrohet në këtë mënyrë. Kjo situatë u krijua nga dalja e opozitës nga parlamenti, për të cilët ajo nuk mund të akuzojë askënd. Problemi qëndron tek anomalitë pa fund që shoqërojnë politikën shqiptare, ku diku bisedohet dhe diku tjetër duhet të miratohet. Nuk ka ndodhur ndonjëherë kështu dhe për përgjegjësitë e saj, opozita nuk ka pse akuzon të tjerët. Nga kjo pikëpamje, nëse do të miratohet një ligj zgjedhor kjo mund të bëhet vetëm në Kuvend dhe askund tjetër. Po nuk i patën numrat nuk ndodh asgjë.

Përsa i përket çështjes së koalicioneve parazgjedhore nuk është e thënë që të jenë të gjithë në një mendje. Secili ndjek interesat e veta politike dhe mos më thoni që ka një shembull në politikën e Shqipërisë që politika nuk ka qenë interes. Ju kujtoj edhe një herë ndryshimet e Kushtetutës brenda një nate më 21 prill 2008. Ata e bënë për interesa pushteti dhe sot bëjnë sikur harrojnë, prandaj jua kujtoj.

 

Si pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Demokratike ka dhënë sinjale për hapjen dhe rikthimin e figurave që janë larguar prej saj. Keni pasur ndonjë ftesë dhe a do ishit i gatshëm të riktheheshit në PD? Në fushatën e ardhshme ne cilin kamp do ta shohim FRD-në? 

Nëse mendoni se lëvizjet politike do ishin thjeshtë me intervista, nuk do ishin serioze. Fati politik i një partie politike cilado qoftë ajo i takon specifikisht vendimmarrjeve të secilës parti. Çdo bashkëpunim kërkon premisa serioze në mënyrë që të mos kthehet në dështim apo të qëndrimeve në sipërfaqe e pa rezultate të mira.
Unë sot drejtoj një parti politike që quhet Fryma e Re Demokratike, me program të qendrës së djathtë. Koha në vazhdimësi do të tregojë mënyrën se si FRD do të komunikojë për bashkëpunimin në funksion të interesave të saj politike dhe zgjedhjeve të ardhshme. Shqipëria ka nevojë të dalë sa më shpejt nga kjo rrëmujë politike e institucionale ku faji është tek politika, por dhe zgjidhjet priten prej saj. Shprehje paradoksale, por e vërtetë në Shqipëri.

SHKARKO APP