Banorët e dëmtuar nga tërmeti në Ishëm: Asnjë ndihmë. Basha: Pas 5 muajsh do merrni çdo gjë që ju takon!
Kryedemokrati Lulzim Basha ka vizituar nga afër sot familjet e dëmtuara nga tërmeti në Njësinë Administrative, Ishëm, ku një vit pasi banesat e tyre u shembën apo u dëmtuan rëndë, siç thonë vetë banorët, janë të harruar nga shteti.
Lideri i opozitës, i premtoi atyre zgjedhje të situatës sapo ai të vinte në pushtet, Basha tha se e gjithë bota u ngrit për ta ndihmuar Shqipërinë, prandaj edhe lekët duhet të shkojnë aty ku duhet.
Banori 1: Mirë që tërmeti na dëmtoi, por jam edhe i papunë, e kërkova një punë në komunë, por më thanë ti nuk merr gjë për tërmetin as punë se ke qënë në mitingun e PD.
Basha: Ndaj s’të japin lekët e shtëpisë ty, se ke qënë në mitingun e PD?
Banori 1: Po ju thashë kam qënë edhe tek PS, janë të lira zgjedh kë të dua…
Banorja 2: Ra tërmeti fjetëm tek vëllezërit e burrit, burrit as çadër nuk i jepnin ditën tjetër, çandrat ndaheshin te porta ime për të tjerët, neve s’na dhanë nga komuna. Kërkuam edhe punë por na thanë që ju keni votuar për socialistët. Ne kemi ngrit një çadër vetë me plastmas. Këtu e kaluam një dimër e tani po vjen tjetri.
Basha: Asnjë ndihmë ë? Duket që shtëpia është për tu shemb, s’ka nevojë të jesh inxhinier për ta kuptuar. Pas 5 muajsh do ju japim zgjidhje, prisni edhe 5 muaj.
Banori 3: Ça është kjo Shqipëri kështu, ne na ndihmoi zoti që shpëtuam, por ndihmë s’kemi pa.
Basha: Jeta është më e çmuara, këto të tjerat i keni kusur nga qeveria. U ngrit gjithë bota me e ndihmu Shqipërinë po ku janë? Unë ju premtoj që do vijnë tek ju këto ndihma. Unë do vij t’ju shoh edhe kur të riparohet dëmi.
Banorja 4: Jetojmë 6 veta në një barrakë
Basha: Pas 5 muajsh do merrni lekët që meritoni, që gjithë bota ka dhënë për ju
Banorja 4: As ujë të pijshëm nuk kemi, shkoj 300 metra larg për ta mbush e mbajmë në krahë.
Basha: Shqipëria e ka mundësinë me ju ndihmu, po t’i vëmë fre vjedhjes.
NJOFTIMI PËR TAKIMET E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË FAMILJET E DËMTUARA NGA TËRMETI NË NJËSINË ADMINISTRATIVE, ISHËM
Kryetari i Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha ishte sot në Ishëm ku u njoh nga afër me gjendjen e mjeruar të banorëve dhe të braktisur nga qeveria, e cila nuk ka bërë asgjë për t’i ndihmuar për të rekuperuar dëmet nga tërmeti.
Në Gjuricaj, Njësia Administrative Ishëm, kryetari i opozitës u ndal edhe në banesën e rrënuar nga tërmeti i 26 nëntorit, të familjes së Limon Filit.
Edhe pse ka kaluar 1 vit kjo familje jeton në një minimagazinë, pasi askush nuk i ka dhënë zgjidhje për shtëpinë e dëmtuar rëndë nga tërmeti.
Ndonëse banesa është jashtë funksioni, institucionet e kanë vlerësuar si DS2 dhe i kanë thënë se përfiton vetëm 250 mijë lekë të reja, ndërsa prej ndihmave ata nuk kanë përfituar fare.
Ai kërkon vetëm një vlersim të drejtë për banesën, pasi po vjen dimri i dytë dhe duhet të jetojë në një minimagazinë në kushte të mjera.
Në Lalëz, familja e Agim Muharremit po jeton ende në çadër, pasi banesa edhe pse është për t’u rindërtuar, ende s’ka asnjë shenjë nga shteti me justifikimin se rruga deri tek banesa nuk është e mirë.
Agimi, 46 vite mësues bashkë me të shoqen thotë se prej 11 muajsh tashmë, asnjë prej autoriteteve shtetërore nuk është kujtuar për të dhe familjen e tij.
E njëjta histori përsëritet edhe në shtëpinë e Kasem Gjetës në Shkafanë, ku shteti nuk ka sy as veshë të shohë e dëgjojë hallet e këtyre njerëzve. As për të pyetur nëse janë gjallë.
Kasemi, por edhe banorë të tjerë të kësaj zone i thanë z.Basha, se po dëmshpërblim po marrin njerëz që s’kanë pësuar asnjë dëmtim, ndërsa ata që kanë shtëpitë e shembura, jo.
Po në Shkafane, në familjen e Shpëtin Kurti, historia e harresës prej 1 viti nga shteti përsëritet. 6 pjesëtarët e familjes po hyjnë në dimrin e dytë në çadër dhe në një kontenier që ia kanë dhuruar privatisht, pasi shtëpia e shembur plotësisht as ka nisur të hedhë themele.
E zonja e shtëpisë tha se ende s’kanë asnjë zgjidhje dhe po jetojnë në kushte të vështira.
Sheshin e rrënojave e kanë pastruar vetë, pasi shteti nuk ju ka dhënë asnjë lek deri tani.
Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha i tha banorëve se dy prioritetet kryesore të qeverisë re të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të jenë ruajtja e shëndetit të shqiptarëve dhe rimëkëmbja e një ekonomie të rrënuar nga pandemia dhe abuzimet me PPP dhe koncesionet. Ai ju premtoi banorëve, se qeveria e re do të garantojë me anë të buxhetit të shtetit rindërtimin e shtëpive të tyre dhe se çdo ndihmë e ardhur për ta nga jashtë do të shkojë për nevojat e tyre.
Lulzim Basha: U ngrit gjithë bota për ta ndihmuar Shqipërinë, vetëm këta s’u kujtuan. Por ju garantoj që do të marrë fund. Dy prioritete kryesore do të kemi. E para, shëndetin edhe ekonominë që ka shkatërruar pandemia dhe gjithë ndihmat që i ka ndarë Europa për tërmetin dhe që duhet të vijnë tek ju, do të vijnë tek ju dhe buxheti i shtetit do të bëjë të mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër shtëpitë t’ju rindërtohen dhe vuajtja që keni hequr t’ju lehtësohet sadopak. Më vjen keq që ju kam ardhur në këto kushte të vështira, por ju jap fjalën që do vij t’ju shoh edhe kur ta kemi riparuar këtë dëm edhe t’i keni shtëpitë e rindërtuara.