Bardhi: Gati për të fituar zgjedhjet. Rama manovra me përjashtimin e koalicioneve

Partitë politike në vend kanë nisur fushatën për zgjedhjet, qoftë parlamentare edhe për ato lokale. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, thotë se opozita është gati për të fituar zgjedhjet. Në një intervistë për “Kjo Javë”, Bardhi tha se PD-ja mezi pret ditën e zgjedhjeve, për të ndëshkuar me votë qeverinë ”Rama 2”, e cila sipas tij i ka ditët e numëruara. Mes të tjerash ai akuzoi kryeministrin Rama se po bën manovra për përjashtimin e koalicioneve.

Sa gati është Partia Demokratike tani për zgjedhjet dhe a i ka ndezur ajo motorët e fushatës?

Nisja e këtij procesi nënkupton nisjen zyrtare të fushatës për Partinë Demokratike, ndërsa përsa i përket pyetjet sesa gati jemi, e kemi thënë edhe më parë jemi gati për të shkuar në zgjedhje edhe nesër. Jo vetëm për të shkuar në zgjedhje, por dua të garantoj të gjithë qytetarët që mezi presin ditën e zgjedhjeve për të ndëshkuar me votë këtë qeveri, se kjo qeveri i ka ditët e numëruara dhe opozita e bashkuar do të jetë fituesja e këtyre zgjedhjeve. Kjo është arsyeja përse Edi Rama po bën këto manovrat e vogla edhe në kuadër të Reformës Zgjedhore, që i projekton si strategji prej një viti, për të ndaluar koalicionet parazgjedhore apo për të rritur pragun elektoral dhe histori të kësaj natyre që synojnë për të penguar opozitën e bashkuar që të shkojë, kështu siç është, e bashkuar, në zgjedhje.

Ka patur zhvillime kryesore për Partinë Demokratike përgjatë javës. Keni nisur një proces që kandidatët e Partisë Demokratike do të zgjidhen nga anëtarësia 80% dhe 20% nga kryesia e PD. Çfarë është konkretisht ky proces?

Procesi që ne konkretizuam dhe shpallëm është një detyrim statuor për Partinë Demokratike, i futur për herë të parë në vitin 2018, ku strukturat qendrore të partisë, përpara vendimit për përzgjedhjen e kandidatëve, do të duhet të ndjekin një proces konsultimi me anëtarësinë. Ajo që ne kemi përcaktuar është që kandidatët për deputetë apo për kryetarë bashkie duhet të selektohen sipas një procesi që kalon në 4 faza. Së pari, janë anëtarët e partisë që propozojnë kandidaturat për deputetë apo kryetar bashkie.

Më pas, në qendër ngrihet Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve që bën selektimin apo seleksionimin e kandidaturave, filtrimin e tyre për të parë, nëse i përmbushin apo jo kriteret e detajuara dhe të shpallura tashmë me udhëzimin e miratuar. Dhe më pas emrat që i plotësojnë kriteret që vlerësohen se mund të jenë kandidatë të mundshëm nën siglën e PD, i kthehen anëtarësisë së partisë, të cilët, me parimin 1 anëtar, 1 votë, në një proces votimi të hapur dhe transparent, do të votojë kandidatët për deputetë.

Më pas është vendimarrja finale që i ngelet Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. Përmendet një ndarje 80% me 20%; në fakt mund të ndodhë që kryesia nuk e përdor këtë kuotë që i është lënë me udhëzimin e miratuar. Kuota ka të bëjë, më së tepërmi, me faktin, fjala vjen, të respektohet kuota gjinore ku 30% është detyrim me ligj, edhe nëse kandidaturat e konfirmuara nga Kryesia kanë sjellë një numër të caktuar kandidatësh, që nuk e respektojnë këtë kuotë, atëherë do të duhet të ndërhyjë Kryesia nëpërmjet kësaj kuote 20% që i është lënë.

Mund të ndodhë që nuk ka përfaqësues të ish- të përndjekurve politikë apo pronarëve dhe Kryesia do të duhet të ndërhyjë për të patur përfaqësues të këtyre shtresave. Mund të ndodhë që nuk ka përfaqësues të sipërmarrjes, do të ndërhyjë Kryesia që të ketë, e kështu me radhë.

Në Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve flitet që do të ketë figura që do t’i rikthehen Partisë Demokratike, z. Bardhi. Çfarë mund të themi për këtë? Madje ka edhe emra të përveçëm, si Genc Ruli, Arben Imami.

Në formimin e këtij komisioni, kemi ndjekur modelet prej të cilëve jemi nisur ta bëjmë këtë demokratizim të brendshëm të partisë, modelit të Partisë Konservatore në Britani dhe me asistencën e Institutit Republikan Amerikan. Na ka rezultuar që në këto panele vlerësimi, në këto komisione vlerësimi, janë gjithmonë figura që kanë një profil të lartë politik apo publik. Pra, mund të jenë figura që nuk kanë vetë ambicie për të qenë deputetë apo kryetarë bashkie, ky është një nga kriteret bazë për të qenë anëtar i këtyre komisioneve, por janë figura me një personalitet të spikatur dhe një kontribut të spikatur në parti, por edhe në shoqëri, sepse pjesë e këtij komisioni, do të jenë edhe përfaqësues të botës akademike. Unë nuk dua të ndalem tek emrat e veçantë. I kam dëgjuar edhe unë emrat që përfliten, por më duhet të sqaroj se kjo do të jetë vendimmarrje e Kryesisë në një fazë tjetër. Pra, ende nuk ka anëtarë të emëruar në Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve. Do të jetë një proces që besoj do të fillojë rreth muajit korrik dhe do të përmbyllet jo më larg se data 25 korrik 2020.

Zonja Spiropali, në këtë studio, u shpreh se vetë i përzunë nga Partia Demokratike dhe vetë i kërkojnë që të kthehen. A ka njohur gabime në vetvete PD për figurat që vërtet kanë kontribuar për këtë parti dhe që ju thoni kemi marrë mësime nga këto figura?

Së pari, fakti që komenton zonja Spiropali nuk më detyron mua të kthej një përgjigje, por duke qenë se ka folur për personalitete të Partisë Demokratike, sigurisht që unë kam një mesazh. Nuk ka asnjë të larguar nga Partia Demokratike. Sigurisht, që me kalimin e kohës, siç ndodh me çdo parti politike, disa figura të caktuara që kanë qenë edhe në poste të larta drejtuese apo poste të larta përfaqësimi brenda PD, zëvendësohen apo largohen nga këto pozicione politike apo publike. Mirëpo kjo nuk nënkupton në asnjë rast largimin nga partia. Kjo nuk nënkupton, në asnjë rast, që këta persona apo individë, personalitete të partisë, nuk kanë kontribut për të dhënë ende në mbështetje të PD-së, por mbi të gjitha në mbështetje të demokratëve në të gjithë Shqipërinë, të cilët kanë investuar besim dhe mbështetje ndër vite tek figurat që i kanë përfaqësuar ata në të shkuarën apo edhe tani në PD.

Zoti Bardhi, me këtë lëvizje a do të thotë që kryetari i PD e ka lënë përgjegjësinë më tepër tek anëtarësia?

Nuk bëhet fjalë për përgjegjësi, bëhet fjalë për ndarje të pushtetit. Sigurisht që kryetari i partisë, kryesia e partisë, Këshilli Kombëtar i partisë kanë përgjegjësitë e tyre statutore. Me këtë vendim të marrë nga kryesia e partisë, kryetari dhe kryesia kanë vendosur të ndajnë pushtetin e tyre statutor me anëtarët e partisë. Sepse ne jemi një forcë politike, ne jemi një familje, kemi mbi 100 mijë anëtarë dhe vendimet e rëndësishme, si caktimi i përfaqësuesve politikë nën siglën e partisë tonë, do të duhet të jenë vendimmarrje e përbashkët me të gjithë anëtarët e partisë.

Kur ju pyeta për gabimet e PD dhe kur flasim për listat, teksa kujtojmë apo sjellim në vëmendje listën e zgjedhjeve, ku Partia Demokratike dhe vetë zoti Basha i ka njohur gabimet me hartimin e kësaj liste, e gjithë kjo a vjen edhe si pasojë e kësaj zoti Bardhi?

Sigurisht që ndryshimet statutore nisën edhe për shkak të atij gabimi që ju thoni se është pranuar nga kryetari. Ajo që unë mund të them është që, sa herë bëhet fjalë për emra, gjithmonë ka pakënaqësi, sepse lista e deputetëve përbëhet në totalin e vet prej 140 kandidatëve, ndërkohë që ne jemi një parti që kemi mbi 100 mijë anëtarë dhe të garantoj që kemi burime njerëzore për të pasur një listë me 1400 kandidatë, që janë të gjithë të të njëjtës performancë dhe të së njëjtës cilësi apo edbe të 14 mijë kandidatëve. Por në një moment të caktuar do të duhet të marrësh vendime për të caktuar në listë vetëm 140 prej tyre. Kjo nuk do të thotë që 140 janë të vetmit anëtarë që mund të përfaqësojnë demokratët dhe qytetarët shqiptarë, qoftë në qeverisjen lokale, qoftë në qeverisjen qendrore, por do të thotë që momenti apo situata ka diktuar përzgjedhjen e këtyre emrave. Prandaj, unë nuk flas dhe nuk mund të flas për gabime në proces përzgjedhje emrash. Kur bëhet fjalë për të përzgjedhur emra, gjithmonë ka pakënaqësi, gjithmonë mund të bëhen gabime. Është një proces normal njerëzor, që krijon pakënaqësi dhe një lloj zhurme mediatike.

Po për figurat e reja, çfarë vendi do t’u lihet në Partinë Demokratike?

Një ndër arsyet pse ne i kemi lënë një kuotë të caktuar kryesisë, është për të patur mundësi që Kryesia të indentifikojë personalitete publike, apo individë që vijnë nga bota akademike, apo të rinj nën 35 vjeç, që të jenë pjesë e listave të Partisë Demokratike, apo të përfaqësojnë Partinë Demokratike në zgjedhjet lokale dhe qëndrore.

Personalitete të caktuara, afrohen për shkak të bindjeve të tyre dhe qëndrimeve të njëjta që ndajnë për mënyrën sesi do të duhet një parti politike të qeverisë, afrohen me një parti politike. Kjo, jo domosdoshmërisht, nënkupton që duhet të kalojnë filtrin normal të karrierës që e nis si anëtar i thjeshtë i partisë dhe e përfundon si përfaqësues i saj më i lartë në nivelet e qeverisjes qëndrore apo lokale. Kjo është arsyeja përse ne e kemi lënë këtë kuotë për kryesinë.

Ndërkohë që nëse tek të rinjtë i referohesh moshës, pra të rinjve në moshë, Statuti i Partisë Demokratike ka një kuotë për përfaqësimin e të rinjve në Kuvend, në Këshillat Bashkiakë dhe kandidatët për Kryetarë Bashkie. Kjo kuotë, sipas Statutit, për kandidatët për deputetët për deputetë është jo më pak se 5%, ndërkohë që, me propozim të Kryetarit të Partisë, kjo kuotë është dyfishuar, Pra, të rinjtë nën moshën 35 vjeç, do të përbëjnë jo më pak se 10% të listës së kandidatëve për deputetë apo kryetarë Bashkie të Partisë Demokratike.

Pasi të mbarojnë këto katër faza, kush do ta bëjë klasifikimin e listave të kandidatëve?

Së pari, do të ketë një metodologji të përcaktimin të renditjes, që do të lidhet me shumatoren e votave që çdo zonë e caktuar zgjedhore sjell për Partinë Demokratike. Së dyti, vetë kuota apo ndarja që është vënë në vendimin e djeshëm, që jo më pak se 80% do të duhet të jenë nga kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia dhe jo më shumë se 20% do të duhet të jenë prurje jashtë këtij procesi nga Kryesia, nënkupton që më shumë sesa 70% e listës finale në renditjen fituese të listës për deputetë, do të jenë nga kandidatura që kanë marrë konfirmimin nga Kryesia.

SHKARKO APP