Bardhi negociata me PS? Salianji: Nuk kam dijeni, por do të jetë tradhti ndaj partisë
Në seancën e sotme plenare në Kuvend, u dha sinjali që kaosi që ka nisur që prej muajt tetor 2023 në Parlament nga Rithemelimi i Berishës, mund të shuhet brenda muajt mars. Prej disa ditësh Partia Socialiste dhe Gazment Bardhi po negociojnë për të arritur në një pikë që jeta parlamentare të rikthehet në shinat e duhur.
Deputeti i PD-së së Rithemelimit, Ervin Salianji mohoi në një intervistë për ”Euronews Albania” se Gazment Bardhi është takuar me eksponentë të PS-së lidhur me Reformën Zgjedhore. Salianji u shpreh se asnjë përfaqësues i PD nuk ka pasur asnjë takim me Ramën, ndërsa theksoi se e kundërta do ishte një tradhti ndaj interesave të demokratëve.
”Nuk ka asnjë takim, të paktën në dijeninë tim të çdo përfaqësuesi të PD me Ramën, do ishte një tradhti ndaj interesave të demokratëve nëse dikush, pa pasur tagër përfaqësimi mund të bëjë lëvizje, por këto janë shashka kur kemi një bashkim në PD.
Pse ta bëjmë me 3 bashkëkryetar le të bëhet me 33, nuk ka logjikë; ka 2 bashkëkryetarë, ai komision është bipartizan, Rama e ka bërë vetëm me partizanët e vet.
Që do të thotë se dy partitë më të mëdha kanë bashkëkryetarët dhe partitë e tjera kanë përfaqësuesit e tyre. Këtu fus edhe formacionin politik që ka 7 deputetë, që duhet të kenë përfaqësuesit e tyre, por nuk mund të sillen sikur janë shumica”, tha Salianji.