Bardhi: Qeveria e papërgatitur dhe pa strategji. Sot 5 prill dhe ende asnjë shqiptar nuk ka përfituar nga fondet

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi mendon se qeveria ka qenë e papërgatitur në fillim të krizës së shkaktuar nga COVID-19 dhe e akuzoi se mban të fshehur numrin e testeve në dispozicion.

Në një lidhje për Neës24, Bardhi tha se është urgjente që të fillojë testimi masiv për të ndërprerë zinxhirin e infektimit. Ai tha se qeveria nuk ka asnjë strategji dhe se sot në datën 5 prill, ende asnjë shqiptar nuk ka përfituar nga fondet që qeveria ka thënë se janë në dispozicion.

“Kjo nuk është një kërkesë e PD por strategji e sugjeruar nga OBSH që po ndiqet nga të gjitha vendet, përfshirë vendet e rajonit. Ajo që kemi parë ka qenë që sa herë qeveria pyetet për numrin e testeve që ka Shqipëria trajtohet sekret shtetëror, kurse në vendet e rajonit ka transparencë të plotë. Kjo mungesë testimesh është e lidhur me mungesën e testeve në dispozicion.

Kanë njoftuar se kanë hapur një procedurë prokurimi por sërish trajtohet si sekret shtetëror. Është urgjente të fillojë testimi masiv i personave të kontaktit, të personelit shëndetësor.
Ky i fundit na deklaron se pavarësisht se kanë pasur kontakte me persona të prekur ata kërkojnë të bëjnë testime por sorollaten me ditë të tëra duke mos e bërë. Është e qartë që testimi masiv është e vetmja formë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit.

Qeveria ishte e papërgatitur kur filloi kjo krizë. Afërsisht 10% e atyre që testohen rezultojnë pozitiv me COVID-19. Ne na raportohen çdo ditë qytetarë që kërkojnë ndihmë pranë shërbimeve të urgjencës sepse kanë simptoma të ngjashme dhe nuk testohen apo verifikohen.

Është detyrë e qeverisë të kryejë testim masiv të popullatës për të mundësuar kthimin në normalitet të situatës.

Sot data 5 prill dhe ende asnjë shqiptar nuk ka përfituar nga fondet që qeveria ka thënë se ka vënë në dispozicion. Ndërkohë që Kosova ka vënë në dispozicion 200 milionë euro, Maqedonia e Veriut 600 milionë euro, ndërsa Serbia 1.5 mld euro.

Do duhet të kishte ndodhur që në ditët e fundit të muajit mars që çdo punonjës i bizneseve që nuk janë paguar sepse nuk kanë mundur të punojnë duhet të ishte paguar nga qeveria me të paktën pagë minimale”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se është koha që shteti të përmbushë detyrat e veta. “Me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, qytetarët duhet të zbatojnë disa urdhra por kanë dhe të drejta. Qeveria të ushtrojë përgjegjësit e veta, t’u vijë në ndihmë të pamundurve.
këto nuk janë paratë e qeverisë, janë të buxhetit të shtetit dhe janë të qytetarëve. Shqiptarët kanë sot më shumë se kurrë nevojë të ndiejnë përgjegjshmërinë e shtetit. Gjatë këtij muaji veç fjalëve boshe nuk kemi parë asnjë akt që iu vjen në ndihmë qytetarëve”, u shpreh ai.

Sa i përket vendimit për pezullimin e qirave, Bardhi tha se qeveria duhet të marrë përsipër pagimin e qirave për familjet dhe bizneset që e kanë të pamundur.
“Nuk mund të thuash që Gazment Bardhi është i pamundur të paguajë qiranë dhe faturën ia kaloj Senadës që është gjithashtu në kushte pamundësie. Qeveria duhet të marrë përsipër pagimin e qirave për familjet dhe bizneset që e kanë të pamundur. Kosova ka marrë përsipër pagimin e 50% të qirave.
Filozofia që është duke ndjekur qeveria që bëjmë sikur e pezullojmë për 2 muaj dhe më pas ua faturojmë pas 2 muajve sjell falimentim të shumicës së bizneseve të vogla.
Pas 2 muajsh ku do t’i gjejnë paratë këta biznese? Ndërkohë që kanë dy muaj pa asnjë të ardhur. Absolutisht bizneset janë në pamundësi për të paguar qiratë por barrën e kësaj pamundësie nuk duhet tua kalojmë disa të pamundurve të tjerë”, theksoi ai.

Bardhi tha se PD ka mbështetur çdo masë kufizuese që garanton distancimin fizik të qytetarëve sepse është e vetmja formë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.

“Ne kemi kërkuar dhe mbylljen e disa bizneseve që kanë një numër të lartë punonjësish. Veprimet e qeverisë kanë qenë kaotike që tregon se nuk kanë pasur një strategji të qartë. Në ditët e para rregullat e kufizimit ndryshonin çdo 2-3 ditë. Kryeministri nga banesa e tij në Surrel thoshte masat kufizuese, ndërkohë që duhet të ishin ekspertët. Ne kemi qenë në mbështetje të masave kufizuese dhe iu kemi bërë thirrje qytetarëve t’i kufizojnë.
Kryeministri ka thënë që do shikojë mundësinë të lehtësojë disa nga masat kufizuese. Nuk dua ta mendoj se po e thotë këtë për të mos ndihmuar bizneset në nevojë. Sa kohë rreziku i përhapjes së virusit nuk është në ulje, masat kufizuese duhet të rrinë në fuqi”, deklaroi Bardhi.

SHKARKO APP