Barroso falenderon Nishanin në mbarim të mandatit: Bashkë ia dolëm

Në vijim të mesazhit të tij, Barroso nënvizon se Unioni ka kaluar jo pak sfida gjatë 10 vjeçarit të fundit, me theks të veçantë krizën ekonomike.Por pavarësisht kësaj, ish-Presidenti i KE thekson se BE ia ka dalë jo vetëm të mbajë të bashkuar Europën por dhe ta zgjerojë me anëtarë të rinj. “Gjatë dhjetë viteve të fundit, Bashkimi Evropian ka kaluar nëpërmjet disa prej kohëve më sfiduese të historisë së tij: që nga nevoja për t’u pajisur me një Traktat të ri, tek trajtimi i krizës financiare globale, që evoluoi në krizë sunduese të borxhit e deri tek përballimi i ndërlikimeve të një rendi të ri botëror që po shfaqej.

Megjithatë, ne ia kemi dalë mbanë me sukses që ta mbajmë Evropën të bashkuar dhe të hapur duke e bërë atë kështu edhe më të fortë. Kemi qëndruar të bashkuar dhe jemi zgjeruar me sukses duke rritur numrin e anëtarëve nga 15 në 28. Kemi përfshirë një mënyrë të re të punuari pas Traktatit të Lisbonës dhe jemi përshtatur për ta përgatitur më mirë bashkimin që të përballet me sfidat dhe të shfrytëzojë mundësitë që sjell globalizimi. Dhe përkundrejt të gjitha shanseve dhe parashikimeve të shumë njerëzve, kemi treguar aftësitë ripërtëritëse të jashtëzakonshme të Bashkimit Evropian nëpërmjet vullnetit politik dhe udhëheqjes.Kjo ripërtëritje, sidomos përgjatë çasteve më të vështira, nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e vazhdueshme që shumë vetë i kanë dhënë projektit të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian si një institucion dhe mua vetë, si President i tij”.

Në përfundim të mesazhit për Kreun e Shtetit, Barroso shprehet se ndihet i kënaqur me përparimin që është shënuar në fushën e zgjerimit dhe shpreson për një bashkëpunim të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe BE. “Komisioni Evropian e ka ndihmuar Evropën Juglindore që të përparojë në rrugëtimin e saj evropian, një përparësi strategjike ndaj së cilës unë kam qenë gjithmonë tepër i përkushtuar. Kështu që kam besim se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të vazhdojë të zgjerohet e të thellohet në të ardhmen.” Duke filluar nga nëntori, Hoze Manuel Barroso do të zëvendësohet nga ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean -Claud Juncker.

SHKARKO APP