Basha anëtar, Alibeaj nis detyrën si kryetar. Sot mbledhja e Kryesisë
Pas nëntë viteve në krye të PD-së si kryetar, për herë të parë Lulzim Basha në tryezën e Kryesisë së partisë do të ulet si deputet dhe anëtar. Kurse nënkryetari Enkelejd Alibeaj, do të ulet në karrigen e Bashës, pasi është kryetari i komanduar.
Në mbledhjen e parë që vjen pas ndryshime në PD, pritet që të diskutohet mbi situatën e brendshme në parti, ndërsa njoftimin e ka bërë me dije sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi. Lulzim Basha dha dorëheqjen më 21 mars si kryetar i PD-së, pas 9 vitesh si drejtues i kësaj partie. Për Alibeajn do të jetë mbledhja e parë si kryetar.
Vendimi erdhi pas humbjes së thellë të PD në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku jo vetëm nuk fitoi asnjërën nga 6 bashkitë, por u rendit edhe forcë e tretë. Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha nga ana tjetër duket më i vendosur se kurrë që të rimarrë sërish drejtimin e PD-së.
Alibeaj fiton edhe disa privilegje me postin e ri, që do të zgjasë deri në zgjedhjet e reja për kryetarin e selisë blu. Me vendim qeverie, si kryetar i partisë më të madhe të opozitës, ai do të ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës.
Përballjet në parlament kryeministri Rama do t’i zhvillojë me Alibeajn. Ai do të përfaqësojë partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare. Aktualisht Alibeaj mban 8 poste në Partinë Demokratike përfshirë, edhe pozicionin e drejtues politik në qarkun e Fierit dhe Shkodrës.