Basha: Berishën sot e braktisën demokratët, sot kishte ditën e fundit në politikë
4 orë pas mbarimit të protestës, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për shtyp, ku tha se sot Sali Berishën e braktisën demokratët dhe se sot ishte dita e tij e fundit në politikë.
“Dita e sotme ishte paralajmëruar si ditë sulmi, dhune dhe përplasje mes demokratësh nga Sali Berisha. Ishte paralajmëruar si dita e pushtimit me forcë e selisë së demokratëve. Ishte paralajmëruar si dita për të kurorëzuar aksionin e tij personal. Lajmi i mirë është fakti që shumica absolute e demokratëve nuk iu përgjigjën thirrjeve të Berishës për t’u bërë pjesë e skenarit të dhunës. E kanë braktisur siç e kanë bërë gjatë gjithë këtyre muajve”, tha Basha.
Po ashtu Basha falënderoi edhe ata që mbështetën Berishën të dëshpëruar nga masakra e 25 prillit. “Protagonistë ishin vetëm një grup i vogël, me një plan të organizuar nga Berisha. Ky është dimensioni i ndarjes përfundimtare me Sali Berishën dhe Berishizmin”.