Basha: Edi Rama, një kopjac i keq
Kjo javë duket se ka nisur me një lajm të mirë për biznesin e vogël. Kryeministri Rama deklaroi në një takim me sipërmarrësit të kësaj kategorie, heqjen e tatimit të fitimit për biznesin që bën deri në 50 milionë lekë xhiro vjetore. Rama tha se kjo do të ndihmojë 100 mijë sipërmarrës të vegjël. Por, sipas Lulzim Bashës, Edi Rama po shet si nismë të tij dhe qeverisë që drejton, një propozim që është pjesë e platformës së opozitës prej muajsh. “Kur e pamë duke vjedhur propozimet e opozitës, nuk menduam keq.10 ditë më parë kopjoi propozimin për pullën fiskale dhe 10 ditë më vonë detaksimin e biznesit të vogël”, tha Basha. Megjithatë, për opozitën ekonomia e vendit është në krizë të thellë dhe kopjimi i keq i platformës së saj nuk do ta shpëtojë Edi Ramën.
“A zgjidhet problemi i krizës duke kopjuar? 73 mijë të papunë vetëm në shtator-tetor, si rezultat i masave represive, kërbaçit, gjobave dhe represionit antiligjor të bandës së të tatimeve. 100 mijë të larguar, 200 mijë të tjerë që duan të largohen, mijëra të dënuar për një kupon. Në këtë klimë dhune, ekonomia është tkurrur, është në hemoragji, bie kredia, bie konsumi, falimentojnë bizneset sepse Edi Rama me politikën e mbrapshtë të rritjes së taksave nuk ofron asnjë zgjidhje, sepse kjo krizë është produkt i Edi Ramës dhe politikave të tij në 2 vite”, shtoi Basha. Sipas Bashës, Edi Rama është një kopjac i keq, që nuk arrin të marrë dot konceptet dhe tërësinë e platformës ekonomike të opozitës. “Si çdo kopjac i keq, që kopjon në provim në një rresht këtu dhe një atje, Edi Rama këto zgjidhje nuk i kupton. Zgjidhja e tij ka qenë ajo e rritjes së taksave”, shtoi Basha.
KOHA JONË SONDAZH

