Basha: Ekonomia është në krizë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë sot një panoramë të zymtë të ekonomisë shqiptarë dhe gjendjes në vend. Në një deklaratë për mediat, pas publikimit të të dhënave nga INSTAT një ditë më parë, Basha deklaron se ekonomia është zhytyr edhe më shumë në krizë, konsumi ka rënë në kuotat më të ulëta historike dhe prodhimi në vend ka rënë.
“Ja të dhënat më të fundit zyrtare për 6-mujorin e parë të këtij viti: Ekonomia është zhytur edhe më shumë në krizë, konsumi ka rënë, prodhimi në vend ka rënë. Deficiti tregtar rezulton të jetë 14.4% me i lartë sesa në qershor 2015. Eksportet 6.4% me të ulëta se një vit më parë. Importet në qershor 2016, rezultojnë 1.6% me të ulëta krahasuar me muajin paraardhës. Ndërsa në nivel 6-mujor, rezulton se eksportet janë 7.8% më të ulëta sesa eksportet janar-qershor 2015”, thotë Basha.
Sipas tij, ‘këto janë të dhënat që tregojnë luftën e biznesit për të prodhuar, për të ekzistuar madje, nën tutelën armiqësore e të dhunshme të një qeverie që vetëm rrit taksat, shton gjobat, ngre çmimet e energjisë dhe naftës, dhe nuk kryen asnjë punë, asnjë shërbim’.
“Taksat e larta, korrupsioni, dhe armiqësia ndaj punës dhe prodhimit mungesa e besimit dhe i kane marrë frymën biznesit, duke e detyruar atë të mbyllet, ose të shkurtojë vendet e punës, duke sjellë këto rezultate. Fuqia blerëse është në kuotat më të ulëta historike, për shkak të varfërisë, papunësisë e mungesës së të ardhurave. Kjo është vepra e vërtetë e keqqeverisjes se Edi Ramës prandaj ai rreket me çdo çmim ta heqë debatin nga hallet e vërteta të njerëzve me llomotitjet e konfliktit politik”, thekson kreu i opozitës.
KOHA JONË SONDAZH

