Lulzim Basha: Ra edhe “ishulli i lirisë” ABCNews, e mori Rama
Në një intervistë në emisionin “Fakt” në portalin e lajmeve “Syri.net”, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur edhe për kapjen e mediave në vend nga kryeministri Edi Rama.
Çim Peka: Përse jeni i kompleksuar dhe nuk përdorni të njëjtën retorikë apo ashpërsi ndaj mediave të cilat nuk ekziston më opozita?
Lulzim Basha: Nuk jam i kompleksuar, e ke gabim. Kam reaguar sot, kam reaguar sa herë është cenuar media, jo vetëm me denoncime por edhe me akte konkrete, në mbështetje të gazetarëve, me kundërshtime të forta për këtë politikë e cila bashkon pushtetin, interesat e biznesit dhe interesat e medias në një pikë të vetme. Pavarësisht që konkurrojnë apo nuk konkurrojnë dot, pra, është apo nuk është konkurrues Edi Rama, partia e tij, oferta e tij për shqiptarët, është apo nuk është konkurrues filan biznesmen, ofrojnë diçka të mirë për shqiptarët apo jo, këta bashkohen në një pikë, edhe po nuk konkurruan dot, duke mbështetur njëri-tjetrin, partia që preferojnë rri në pushtet, biznesi kontrollon lekët e shqiptarëve dhe për këtë na duhet media. Kjo është skema. Pra t’ia themi troç shqiptarëve. Kjo është punë lekësh.
Nëse qytetari i zakonshëm, apo tregtari e biznesmeni thonë sot se nuk kanë lek, lekët i ka korporuar ky trekëndësh. Interesa biznesi, politikë, media. Dhe për këtë arsye, një nga një, mediat janë kapur dhe janë vënë në shërbim të pushtetit. Pushteti çfarë ofron? Ofron që bizneset pa konkurrencë të kapin tendera, koncesione, kontrata të majme. Kështu janë kapur mediat. Si kapen mediat? Si nënshtrohen mediat? Përmes tenderave, koncesioneve, lejeve të ndërtimit. Ky është një zanat që e ka shpikur Edi Rama në fillimet e tij si kryetar i Bashkisë dhe sot si Kryeministër, me rënien e ishullit të fundit, t’i referohemi edhe një herë gazetarëve, ABCNews, e cila kishte mbetur një dritare e hapur për opozitën, qeveria ka vënë nën kontroll të plotëtë gjitha mediat tradicionale shqiptare.
Të gjitha televizionet dhe gazetat e vendit. Nuk kam pasur asnjëherë kompleks ta konstatoj këtë. Ka një lajm këtu që nuk është lajm i keq. Si rregull, kjo është faza e fundit e një pushteti, kur përqendrohet pushteti në këtë nivel që kap të gjitha mediat, sot pamë edhe shqetësimin e Zërit të Amerikës për largimin e dy drejtuesve të mediave, të Armand Shkullakut dhe Alfred Lelës, por jo thjesht për dy individë, por atë që përfaqëson kjo për median shqiptare. Nuk ka më asnjë media të pavarur jashtë kontrollit qeveritar, në kuptimin tradicional të fjalës, televizion dhe gazeta, kjo tregon që demokracia ka arritur në një pikë kritike.
Nuk është e rastësishme që ndodh tani, ndodh 5 muaj para zgjedhjeve, gjithçka është në funksion të kapjes dhe të prishjes së zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të mos vendosin qytetarët në bazë të fakteve, në bazë të të vërtetave, në bazë të platformave, por gjithçka të jetë në duart e kësaj kaste, politikanë, të korruptuar, jokonkurrues, ku nuk kanë çfarë ti ofrojnë qytetarëve, biznesmenë që nuk prodhojnë gjë, jetojnë me paratë e shqiptarëve, me tendera, me koncesione, me leje ndërtimi dhe një grusht mediash që janë në shërbim të këtij realiteti.
Ky është problemi sot në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë, kjo është grahma e fundit e një sistemi që nuk është më demokratik. Nuk ka lekë për investime publike, nuk kanë lekë për tu përballur me emergjencat. Nuk kanë lekë për shëndetësinë, nuk kanë lekë për pensionistët. Nuk kanë lekë për shërbimet minimale që shteti duhet të ofrojë sepse lekët janë akaparuar nga trekëndëshi Pushtet- Interesa Biznesi dhe Media. Prandaj mediat janë kapur sepse i shërbejnë kësaj skeme. Ta them thjeshtë me tre fjalë: është punë lekësh.
KOHA JONË SONDAZH

