Basha i kthehet Ramës: Ta kuptoj mirë nervozizmin, por koha jote ka mbaruar
Ndërsa Edi Rama sulmon opozitën, ambasadorët, BE-në, dhe çdokënd që i del kundër, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se PD ka kohë që punon për programin qeverisës.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë blu, Basha tha se ndërsa opozita bën një plan pune, Rama shpërdoron kohën televizive me fjalime të mërzitshme.
“Plani ynë ekonomik, në qendër qytetarin dhe familjen shqiptare.
Plani ynë, taksa të ulëta, punësim, zhvillim. Plani ynë, plan pune i përditshëm, i përjavshëm, i detajuar. Me këtë plan fiton rinia, pensionistët, mjekët, infermierët, mësuesit, pedagogët, të papunët, të varfrit. Me këtë plan fiton Shqipëria, humbet Edi Rama””, tha Basha.
Lidhur me deklaratat e kryeministrit në konferencën e djeshme online, Basha u shpreh se nervozizmi i Ramës tashmë është mëse i kuptueshëm.
“Ta kuptoj mirë nervozizmin, por koha jote ka mbaruar. Më 25 prill, Edi Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë. 8 vite kishte kohë të mbante premtimet, por i shkeli. Taksa progresive ka dështuar, ka prodhuar korrupsion e padrejtësi, ka larguar rininë. Taksa progresive ka pasuruar oligarkët, ka varfëruar shqiptarët. Taksa progresive ka shkatërruar klimën e biznesit, taksa e sheshtë 9% do të sjellë zhvillim”, deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.