Basha i vendosur: Ligji “Antimafia” i pari që do miratojë Parlamenti i qeverisë së re. Do i kthejmë shqiptarëve çdo gjë të zhvatur!
Kryedemokrati Lulzim Basha në një komunikim me gazetarët prezantoi sot platformën antioligarki dhe antikorrupsion të Partisë Demokratike, e cila tha se vihet në zbatim pikërisht përmes përditësimit dhe ndryshimit që do i bëhet ligjit “Antimafia”. Duke folur si kryeministër i ardhshëm, Basha tha se pikërishtr këto ndryshime në këtë ligj do të jetë vendimi i parë që do të marrë Parlamenti i qeverisë së re.
Basha premtoi se çdo gjë e marrë në mënyrë abuzive do t’i kthehet publikut me efekt prapaveprues.
“Ligji Antimafia i miratuar nga parlamenti i ri legjitim do të jetë vendimi i parë i qeverisë së re dhe do të zbatohet. A ka situata më të rënda se sa në një vend paratë të zhduken e të vidhen nga një grup njerëzish? Si kemi arritur deri këtu? Zgjidhjen e shohim te ligji Antimafia. Ky ligj do të bazohet në një bazë logjike dhe ligjore: Çdo koncension, çdo PPP kalon përmes një kontrate mes privatit e publikut. Kontrata në përputhje me ligjin ka forcën e ligjit, ato që bien në kundërshtim me të janë të pavlefshme. Çdo gjë e marrë në mënyrë abuzive do t’i kthehet publikut me efekt prapaveprues.
Mekanizmi bazë është ai i ndryshimit në ligjin Antimafia. Këto masa të parashikuara me ligjin tonë Antimafia të përditësuar, fokusohen te pasurua e zyrtarëve publikë që kanë abuzuar, pronarëve të kompanive private dhe të afërmve të tyre, dënohen apo jo, pasuritë e tyre sekuestrohen dhe konfiskohen.
Kompani që licensiohen pak para tenderit, kompani pa përvojë, kompani off shore, shpikje e propozimeve të pakërkura, tendera ndaj njerëzve të paautorizuar, skualifikime të padrejta për qëllime klienteliste, kompani që i plotësojnë kriteret po i skualifikojnë. Këto janë disa nga format e abuzimit që janë lidhur këto kontrata. Sikur njëra nga këto të vërtetohet çdo qindarkë do ju kthehet shqiptarëve me ligjin Antimiafia.
Zbatimi i masave do kalojë nga tre hallka: Qeveria është e para do ketë detyrën e verifikimit, pastaj do i kalojë SPAK e vendimin e jep GJKKO. Barra e provës bie te kompania private apo zyrtari që ka krijuar kontratën”, tha Basha.