Basha ka afat deri më 5 janar të lirojë zyrën, por vijon punën për dy gara në PD
Komisioni i Rithemelimit i PD i la afat Lulzim Bashës për të liruar zyrën datën 5 janar, por kreu demokrat ka vendosur të vazhdojë punën duke avancuar me zgjedhjet e drejtuesve në dy organizatat partnere, atë të Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Forumit Rinor të PD-së. Grupi i punës që kujdeset për procesin zgjedhor zbuloi kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët. Drejtuesit e këtyre dy forumeve dolën në krah të Berishës, duke u distancuar nga Lulzim Basha.
”Të jetë individ me integritet të lartë moral dhe profesional. Të ketë përfunduar arsim e lartë (ose ne proces për nivelet lokale. Të ofrojë shanse reale për të ngritur në një nivel të lartë veprimtarinë e FRPD. Të mos jetë anëtar i Grupit të Punës i deleguar për procesin zgjedhor në FRPD. Të mos jetë mbi moshën 30 vjeç afati i paraqitjes dhe propozimeve të kandidaturave për nivelin lokal dhe qendror pranë Grupit Qendror të Punës është deri më datë 31 janar 2022”.
Nëse lexojmë statutin e PD-së, neni 46, pika 2 që i refererohet grupi i punës thotë “Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PD-së, sipas parimit “Një anëtar, Një votë” dhe nuk ka lidhje me forumin. Po ashtu neni 58 sanksionon se forumi rinor është organizatë partnere por sërish nuk ka asnjë parashikim që zgjedhjet në këtë forum nisin me urdhër të kreut të partisë. Gratë demokrate kanë tashmë edhe datën e caktuar për zgjedhjen e kryetares së forumit, që duhet të zëvendësojë Albana Vokshin.
“Një periudhë që vijon nga data 5 janar rreth 3 javore procesi më i rëndësishëm për Lidhjen Demokratike të Gruas dhe zgjedhjet që do të vijojnë në të, është ai që ka të bëjë me analizën dhe performancën dhe anëtarësimet e reja. Në datë 6 shkurt 2022, ditë e diel do të zhvillohen zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë për kryetare të LDG në nivel dege e po ashtu pas datës 6 do të hapim një fushatë në nivel qarku për të nisur atë që është gara nëpërmjet primareve, debatit të bukur, konstruktiv, për të shkuar më në fund në datën 19 shkurt që do të kulmojë me zgjedhjen e kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas”.