Basha kundër pazarit për të ruajtur marrëveshjen e 2008 për interesat e Ramës dhe Berishës

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nga Berati ku u takua me mbështetës të tij, deklaroi se marrëveshja e arritur mes PS-së dhe deputetëve të grupit të Rithemelimit pranë PD-së bëhet për interesat e tyre dhe jo vetëm jo për interesat e shqiptarëve.

“T’u thuash demokratëve se do të rrëzojë Edi Ramën dhe të përfundosh me një komision që do të qortojë Ilir Beqën, ndërkohë që prokurorët e SPAK-ut do ta marrin të pandehur nesër, kjo do të thotë të tallesh jo vetëm me demokratët, por me çdo shqiptar. U është bërë faqja sholl sepse nuk kanë interesat e shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Ai theksoi se nuk ishte kundër bashkëpunimit në politikë. Por vuri në dukje se dy palët shkatërruan sistemin zgjedhor duke i mbyllur listat dhe duke u hequr shqiptarëve të drejtën per të çuar në parlament atë që duan shqiptarët e jo ata që duan kryetarët.

“Në qoftë se do të kishin rënë dakord për listat e hapura, në qoftë se do të kishin rënë dakord për vettingun e politikanëve, në qoftë se do të kishin rënë dakord siç ua kam propozuar me shkrim në Parlament për të hequr imunitetin e parlamentarëve, pra në qoftë se këta do të ishin bashkuar se i kanë thirrur mendjes me një ndjesi faji apo dhe ndjese ndaj shqiptarëve, padiskutim do ta kisha përshëndetur. Dhe votat e deputetëve të Partisë Demokratike do të ishin aty për të mbështetur ndryshime të tilla. Por ky pazar, kjo marrëveshje bëhet për interesat e tyre dhe jo vetëm jo për interesat e shqiptarëve, por kundër interesave të shqiptarëve”, theksoi Basha.

ATSH

SHKARKO APP