Basha: Kurrë në koalicion me PS. Nuk kërkoj votat e qytetarëve për të qeverisur me Ramën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mohoi sot çdo mundësi që selia blu të jetë në koalicion me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Në një intervistë për “Opinion”, Basha tha se “unë nuk shkoj kurrë të kërkojë votat e qytetarëve për të qeverisur me Edi Ramën. Modeli i Ramës është të bëjë çdo gjë për pushtet. Unë nuk dua pushtet për të bërë ato që u premtoj qytetarëve”,- tha ndër të tjera Lulzim Basha.
Kreu i PD-së tha se Edi Rama dhe PS duhet të dalin në opozitë dhe të mbajnë përgjegjësi për krimin dhe korrupsionin. “Nuk do të shkoj të bëj qeveri me Edi Ramën sepse ministrat e Edi Ramës duhet të mbajnë përgjegjësi. Ata duhet të shkojnë në opozitë dhe të distancohen nga krimi dhe korrupsioni. Është e paimagjinueshme që PD të bëhet fasadë e kësaj. Oferta nga Rama? E kam thënë në konferencë për shtyp. Ato oferta tregojnë vetëm një gjë, panikun e humbjes që i ka kapur dhe që për pushtet janë të gatshëm të bëjnë gjithçka. Mandati i tretë për ta është për çfarë? Për të vjedhur?”,- deklaroi kreu i PD-së.
Basha deklaroi se PD në pushtet do të ndryshojë Kushtetutën me qëllimin e vetëm për të kufizuar pushtetin e qeverisë dhe kryeministrit. “Do të sanksionojmë në Kushtetutë që një kryeministër nuk mund të rrijë më gjatë se dy mandate. Nëse një kryeministër nuk ka realizuar programin në dy mandate, për çfarë duhet të qëndrojë më në pushtet, nëse nuk i dalin tetë vite”,– tha Lulzim Basha.
Lidhur me formulën sesi do të kandidojë koalicioni i opozitar në zgjedhje, Basha tha se ndryshimet kushtetuese të Edi Ramës nuk e kanë ndaluar që opozita të dalë bashkë në zgjedhje.
I pyetur për raportet me aleatët dhe LSI, Basha tha se PD-ja ka një marrëveshje me aleatët e cila ka përcaktuar bashkëpunimin për fitoren në zgjedhje dhe se opozita do të jetë një kamp kundër qeverisë.



KOHA JONË SONDAZH

