Basha me gratë sipërmarrëse: Do anulojmë procesin e fiskalizimit. Nuk do ketë më inspektime dhe gjoba!
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se sapo të vijë në pushtet do të anulojë procesin e fiskalizimit. Deklarata u bë gjatë një takimi me gratë sipërmarrëse në Elbasan, ku bashkëbisedoi për klimën e sipërmarrjes dhe vështirësitë e mbijetesës së biznesit.
“Evazioni fiskal ka arritur kulmin, s’ka raport që nuk e përmend. Pse? Se i rrisin taksat, i trajtojnë 5 biznese si të nënës e 95 si të njerkës dhe pastaj ndërrojnë çdo dy vjet procedurat e fiskalizimit, kasat, e të tjerë, e të tjerë. Prandaj ju garantoj që ky proces të cilin ne e konsiderojmë korruptiv, do të ndalet dhe ju nuk do të paguani. Ata që kanë paguar do të rimbursohen sepse njësoj si gjobat e tjera që ka marr shteti shqiptar për shkak të papërgjegjshmërisë dhe klientelizmit të këtij kryeministri. Fiskalizim i themi ne tani, po është një proces thellësisht korruptiv do të ndalen dhe përgjegjësit do të vihen para ligjit” – tha Basha.
Basha tha se me planin e Partisë Demokratike për biznesin, i cili parashikon që çdo biznes me xhiron nën 140 milionë lekë të vjetra në muaj, nuk do të paguajë asnjë shumë mbi 0.5% të xhiros vjetore në vit, uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të naftës.
“Janë dy gjëra të cilat janë të lidhura me njëra tjetrën, plani ynë për ekonominë dhe plani ynë për gruan në shoqëri. Pse kemi një plan të veçantë për gruan? Sepse me të vërtetë është gjysma e shoqërisë por ka dyfishin e ngarkesës dhe merr më pak përkrahje sesa merr gjysma tjetër e shoqërisë. Edhe sikur ta zhveshim këtë nga përditshmëria, ajo që preku Flutura, domethënë sa e vështirë është për një grua të çajë përpara në raport me një burrë në jetën e përditshme si sipërmarrëse, por jo vetëm, në çdo fushë tjetër çdokush e kupton që në qoftë se ke gjysmën e shoqërisë me dyfishin e ngarkesës dhe gjysmën e përkrahjes krahasuar me gjysmën tjetër atëherë ke një defekt të madh në ingranazhin që e çon shoqërinë përpara. Dy propozime që ne i bëmë dhe për të cilat bëmë betejë: Propozimi i parë që të hiqej taksa për biznesin e vogël gjoja u adoptua pas disa vitesh. Por ju e dini të gjithë që kjo është fiktive sepse me të vërtetë nga njëra anë u hoq taksa për biznesin e vogël siç propozuam ne por nga ana tjetër u shtuan tarifat vendore për shërbime të cilat biznesi i vogël nuk i merr, u shtua çmimi i karburantit, u shtua çmimi i energjisë dhe mbi të gjitha u shtuan gjobat. Gjobat që paguan biznesi i vogël. Me një gjobë të merr dyfish, trefish saç të merrte më përpara me taksimin që gjoja hoqi. Zgjidhja për këtë është fare e thjeshtë”, tha Basha.
KOHA JONË SONDAZH

