Basha: Ministrat e Ramës paguan 1 mijë dollarë biftekun në Dubai, 3-fishuan pasurinë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë e Edi Ramës se nuk mendon për qytetarët, në këtë periudhë të vështirë përmbytjesh dhe pandemie.

Në një deklaratë nga selia blu, kreu i demokratëve deklaroi se ministrat e Ramës darkojnë me fatura të kripura, ku 1 mijë euro bën vetëm një biftek, në Dubai, duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit.

Gjithashtu, Basha u ndal dhe te raporti më i fundit mbi pasurinë e kabinetit të Ramës, ku thuhej se 18 prej 27 ministrave nuk justifikonin pasurinë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve se ka ardhur koha për ndryshim.

Kjo është shumë e rrezikshme, shkatërrimtare për shoqërinë. Dy ditë më parë u bë publike se si kur e gjithë Shqipëria ishte e përmbytur, kur mijëra familje ishin në ujë e mijëra të tjera janë në çadra, ministrat e Ramës po darkonin në restorantit më të shtrenjtë. 1 mijë dollarë bifteku. Ndërkohë që njerëzit po shtyhen drejt krizës më të thellë ekonomike të këtyre 30 viteve. Ata nuk kanë turp, Rama nuk ka turp, por mesa duket para kanë shumë. Po dje u publikua një raport që tregon se qeveria e Ramës ka shumëfishuar pasurinë. Anëtarët e kabinetit të Ramës kanë 3-fishuar pasurinë.

Kjo është një qeveri që mendon vetëm për veten e saj, nuk iu intereson qytetari, nuk e kanë në listë. Kjo është arsyeja pse qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa ministrat darkojnë me fatura të kripura. Kanë harruar se cili është misioni i qeverisë, të zgjidhë problemet e qytetarëve, jo t’i rëndojë ato. Të dashur qytetarë është koha për ndryshim. Është koha që qeveritarët që abuzojnë të shkojnë në vendin e tyre. Është koha për këtë ndryshim dhe ndryshimin do ta sjellim ne”, tha Basha.

SHKARKO APP