Basha në Bathore: Paratë e shqiptarëve do t’i heqim nga xhepat e shokëve të Ramës

Lulzim Basha bashkë me kandidatin për deputet Shemsi Prençi, zhvilloi një takim me qytetarë në Bathore. Ai theksoi se situata ekonomike dhe sociale në vend është pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit të qeverisë, ndërsa shqiptarët në 11 maj duhen të kenë parasysh se ose me fëmijët dhe familjet e tyre, ose me Edi Ramën dhe shokët e tij.
”Kryesorja dhe mbi të gjitha është o me njerëzit, o me Ramën dhe shokët e tij. Pse është në këtë gjendje ekonomia? Sepse lekët nuk mund të jenë në të njëjtën kohë edhe në xhepat e shokëve të Ramës edhe në xhepat e shqiptarëve. Mundësitë nuk mund të jenë edhe monopol i shokëve të Ramës, edhe në dispozicion të rinisë shqiptare. Të dyja bashkë nuk rrinë. O me shokët e Ramës 7×7=313-ta, o me shqiptarët. O me familjen tënde, me fëmijët e tu, me të ardhmen tënde, o me Shqipërinë, o me Ramën. Të dyja bashkë nuk rrinë. Këtë mesazh duhet t’ua përcjellim qartë njerëzve”,-tha Basha.
Ai foli për programin e Koalicionit Euroatlantik i cili synon t’i kthejë fondet publike në shërbim të qytetarëve, përmes uljes së taksave, subvencioneve dhe investimeve në shëndetësi e arsim. ”Me programin tonë, realisht politikat sociale janë aty, janë të kushtueshme, janë financueshme sepse ne paratë e shaiptarëve do t’i heqim nga xhepat e shokëve të Ramës, e do ia kthejmë shqiptarëve qoftë me ulje taksash, qoftë me subvencione, qoftë me politika lehtësuese për sipërmarrjen, qoftë me investime në shëndetësi, në mënyrë që kushtet e mjekëve, infermierëve të jenë të tilla që mos të mendojnë braktisjen dhe largimin si alternativën e parë. Dhe më e rëndësishmja t’u ofrojmë shqiptarëve një shërbim shëndetësor dinjitoz.
Me të njëjtën shumë, Italia arrin të përballojë me standarte europiane problemet shëndetësore të 5 milionë banorëve të shoqërisë së saj. Pra, paratë janë, por paratë vidhen. Vidhen nga shokët e 7×7=313. O me Ilir Beqajn tek 7×7=313, o me shëndetin e shqiptarëve. Kjo është fare e qartë dhe me Koalicionin Euroatlantik, ne do të bëjmë që me këto para, që nuk mungojnë, janë 7.2 miliarfë euro ka harxhu qeveria, këto para të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve, për mirëqenien dhe arsimin e shqiptarëve”,-tha ai.