Basha: Ne nuk jemi vetëm, 50 milion eurot nga BE të administrohen me transparencë
Në një lidhje me Skype në “Tempora” nga Sonila Meço në TV Ora, kreu i opozitës, Lulzim Basha foli për vendimin e çeljes së negociatave me Shqipërinë.
Basha tha se ne nuk jemi vetëm dhe shtoi se paketa prej 50 milion euro e dhënë nga BE për luftën ndaj Covid-19 duhet të administrohet me transparencë dhe kujdes.
“Ne nuk jemi vetëm, ndryshe nga ç’mund të pretendohet në momente paniku. BE ka ndarë plot 50 milion euro për vendin tonë, pjesë e një paketë për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Është një vepër bujarie dhe largpamësie, pasi alokohet me atë që po bën qeveria pas 2-3 javësh kërkesash nga opozita. Është një ndihmë që nuk mund të harrohet dhe duhen falënderuar taksapaguesit evropianë. Këto para duhet të administrohen me transparencë dhe kujdes. Të shkojnë aty ka më shumë nevojë dhe të shkojnë sa më shpejt. Këtu është bërtitur fitore, kur negociatat nuk ishin hapur. Tashmë nuk mund të luhet më”, tha Basha.