Basha, në Pogradec: Rama i dëshpëruar, i mungon “një popull budalla”
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha sot ishte në Pogradec, ku është takuar me banorët e këtij qyteti. Basha bëri të ditur alternativën e opozitës, për ulje taksash, ulje çmimesh, për subvencione etj.
Ai bëri publike një letër të 30 peshkatarëve, të cilët shprehen se u është rritur licenca me 42 herë. Ata janë shprehur se kjo është e papërballueshme, që të sigurojnë bukën e fëmijës së tyre.
“Nuk u bëhet vonë fare se si do të shkojnë në shtëpi në darkë me sytë përdhe para fëmijëve të tyre që nuk kanë t’u blejnë as bukën e gojës, nuk u bëhet vonë. Kemi një alternativë, alternativën e uljes së çdo takse bashkiake dhe alternativën e madhe, platformën time për uljen e taksave kombëtare në nivelin më të ulët në Ballkan, uljen e çmimit të energjisë me 25%, faljen e çdo kamatëvonese për energjinë dhe për ujin, rritjen e rrogave dhe pensioneve, subvencione për fermerët, subvencione për peshkatarët”, tha Basha.
Kryetari i PD-së tha se Rama-Meta nuk kanë asnjë zgjidhje, asnjë ofertë për situatën. Sipas tij, ata po rendin gjatë fushatës nëpër Shqipëri duke sharë opozitën dhe kërcënuar qytetarë të ndryshëm dhe të pafajshëm.
“I mungojnë shumë gjëra Edi Ramës në këtë fushatë, i mungon oferta, i mungon vizioni, i mungojnë zgjidhjet për ju, por mbi të gjitha i mungon një popull budalla, një popull që t’i hajë broçkullat, prandaj është i dëshpëruar, prandaj ka filluar të kërcënojë qytetarët. Nuk e ndal dot vullnetin e qytetarëve Edi Rama, as me gënjeshtra, as me kërcënime. Ja, këtu kemi qenë, e kam pasur bashkinë, e kam pasur dhe qeverinë për dy vite. Sa vende pune kanë krijuar, sa i kanë ulur taksat, i kanë rritur, e kanë rritur çmimin e energjisë, e kanë rritur çmimin e naftës”
Basha solli në vëmendje edhe rënien e të ardhurave në buxhetin e shtetit në katër muajt e parë të vitit. Ai tha se 100 milion dollarë i mungojnë arkës së shtetit ndërsa 1.5 milion dollarë janë vjedhur nga fondi i rimbursimit të ilaçeve në 5 muajt e fundit.