Basha në Top Story: Krimi, droga dhe zgjedhjet, prioritetet tona

Partia që ai drejton po përballet sërish me një sfidë të parakohshme elektorale në Kolonjë, pas disfatës në Dibër. Opozita tani thotë se hashashi, bllokimi i dekriminalizimit dhe prekja e zgjedhjeve janë një trinom aq i rëndësishëm sa duhet të kushtëzojnë edhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Por cila është strategjia e Lulzim Bashës, nëse ai e ka një të tillë? Dilemat e brendshme me kundërshtarët e rinj e të vjetër?‎ Ku janë protestat e premtuara? Cili është plani tjetër që Partia Demokratike u ofron shqiptarëve si qendra e djathtë dhe përse duket se ky plan deri tani është më majtas se e majta?

Për këto dhe për të tjera çështje të aktualitetit politik, i ftuar në Top Story këtë të enjte, përballë gazetarit Sokol Balla ishte vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Intervista

Sokol Balla: E hapa duke folur për provimin e madh, atë për datën e negociatave. Risia kësaj here është që pavarësisht nga përgjigjja që do të marrim, risia duket qëndrimi që PD mban, jo ndaj procesit, por tek teknikalitetet. Ndryshe nga çdo herë tjetër në komitet mbajtët një qëndrim të ngurtë, deri sa një deputet kërkoi heqjen e një paragrafit për datën…

Lulzim Basha, kryetar i PD: Ka një absurd dhe nuk qëndron tek PD. PD ka një qëndrim të konsoliduar prej ditës time të parë si kryetar i saj; Qëndrimi i PD është i qartë, do të mbështesim pa rezerva çdo hap që çon në integrimin europian të vendit. Këtu vendosim një standard, ndryshe nga opozita e mëparshme që bllokoi statusin për 3 vite me pretekstin e Fierit. Lobuam aktivisht me pjesën dërrmuese të vendeve të BE që drejtoheshin dhe drejtohen nga partitë simotra tona. Ne besojmë që çdo hap përpara është aleat për standardet. Shton kontrollin, mundësitë dhe burimet.

Sokol Balla: Atëherë pse po dilni kundër këtë herë?

Lulzim Basha: Është sajesë e propagandës qeveritare për trushplarjen e shqiptarëve.

Sokol Balla: Megjithatë ju e keni pohuar vetë…

Lulzim Basha: Nuk është ashtu. E keni gabim! Kush e vendos rekomandimin për statusin?! Rekomandimin e bën Komisioni dhe vendimin e merr Këshilli. Parlamenti ka zero ndikim këtu. Është një gënjeshtër, propagandë e pastër qeveritare. Mes datës së rekomandimit dhe 15 dhjetorit ka patur një sesion ndër 13 sesionet, ky sesion nuk ka asnjë rol formal sa i përket rekomandimit. Ka një Komision, 7 nga Shqipëria dhe 7 nga BE. Në 13 takime vetëm 1 herë ka patur rezolutë, gjithë herët e tjera rezoluta ka dështuar dhe atëherë ka kaluar vetëm sepse u tërhoqëm ne. Këtë vit kemi kërkuar që të reflektohet gjendja e rëndë e krimit, lufta kundër drogës dhe zgjedhjet. Kjo nuk ka lidhje me hapjen e negociatave.

Sokol Balla: Po Komisioni flet për pesë prioritetet?!

Lulzim Basha: Lajmi i vetëm i mirë është që reforma në drejtësi kaloi me konsensus të plotë. Rezoluta nuk ka asnjë vlerë. Rezoluta duhet të pasqyrojë gjendjen dhe problemet e Shqipërisë dhe t’i kërkosh opozitës që të mos përdorë presionin ndaj Qeverisë, do të thotë të mos ekzistojë, ndërsa të thuash të kundërtën që kjo ishte në dorën tonë, është njësoj sikur notën ta vendosë nxënësi dhe jo mësuesi.

Sokol Balla: Ju ofrua një kompromis për rezolutën, për të hequr gjithë paragrafin që bënte fjalë për datën…

Lulzim Basha: Ajo që m’u raportua është që pati një refuzim për të reflektuar këto tre propozime, kriminalitetin, drogën dhe zgjedhjet e lira. PD ka mbajtur qëndrimin si opozitë dhe për rekomandimin jemi pro, por nuk jemi ne ata që e vendosim. Nëse do të ishte në dorën time, do ta firmosja që sonte.

Sokol Balla: Nëse më 15 dhjetor nuk e marrim, sigurisht që fajin e ka Qeveria, por ju a ndjeni përgjegjësi?

Lulzim Basha: BE do të vazhdojë të ekzistojë, ndërsa ne do të vazhdojmë të përballemi me një situatë ku krimi është shtrirë në mbarë vendin, droga po shkatërron shoqërinë shqiptare dhe paratë e saj rrezikojnë zgjedhjet e ardhshme.

Sokol Balla: Sot jeni akuzuar nga një deputet i maxhorancës se po sabotoni këtë proces?

Lulzim Basha: E gjitha kjo vjen erë si në kohën e diktaturës, ku duhet gjetur një armik. Mendon se opozita ka instrumentat për të bllokuar një proces të tillë?!

Sokol Balla: Bëhet fjalë për aksione konkrete në Tiranë…

Lulzim Basha: A nuk vjen erë si një instalacioni çiliminjsh për të shmangur problemet reale të vendit me krimin, drogën dhe zgjedhjet.

Sokol Balla: Të trija problemet janë ekzistuese afatgjata dhe nuk po marrin një zgjidhje përfundimtare. Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin e ngritët ju, shkuat deri në atë pikë për të ndryshuar Kushtetutën për ta përshtatur këtë ligj sepse ishte antikushtetues….

Lulzim Basha: Dekriminalizimi sot nuk zbatohet. Kryeministri ka në dorë me ligj të shkarkojë Elvis Rroshin që rezulton i dënuar për përdhunim në grup në Itali dhe për trafik droge në Zvicër. Ka në dorë të largojë një numër anëtarësh nga grupi i tij parlamentar të verifikuar për një sërë shkeljesh. Ligji për dekriminalizimin nuk po zbatohet sepse janë dhjetra persona, shtyllë e një pushtetit të kriminalizuar. Jetojmë në një Shqipëri ku krimi, droga dhe politika janë bërë njësh kundër qytetarëve shqiptarë dhe ky është një problem që nuk mund të mbyllim sytë ne.

SHKARKO APP