Basha: Nesër hajdeni të rrëzojmë Kryeministrin

Protesta e së dielës, nesër më 2 qershor, pritet të mos jetë si tubimet që kemi parë deri më sot nga opozita. Sinjali për një demonstratë kombëtare është dhënë nga kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë takimit të zhvilluar dje me mbështetësit e opozitës në zonën e Kinostudios në Tiranë. Për herë të parë, kreu i PD-së nuk ka folur vetëm për manifestime dhe marshime kundër qeverisë, por për protestë me një objektiv të qartë; rrëzimin e kryeministrit Edi Rama.

Ky zhvillim i ri në qëndrimin e opozitës, për largimin e Edi Ramës me protestë kombëtare, vjen si përgjigje ndaj kërkesës që tashmë qytetarët, opozitarë ose jo, bëjnë në adresë të PD dhe kreut të saj, Lulzim Basha. Kreu i PD-së deklaroi se janë shumica dërrmuese e sipërmarrësve dhe qytetarëve që i kërkojnë opozitës një afat se kur do t’a rrëzojnë Edi Rama. Dhe përgjigja e Bashës ndaj kësaj pyetje që tashmë është: “nesër në protestën para Kryeministrisë”. Në fjalimin e mbajtur dje në Tiranë, Basha ishte më i ashpër me qeverinë duke deklaruar se kjo nuk është më një betejë mes platformave dhe parimeve normale demokratike, por një përballje mes qytetarëve dhe një bande kriminale që qeverisë sot Shqipërinë.  “Ndërkohë që mirëpresin platformën tonë ekonomike, 98 % e sipërmarrësve kanë vetëm një pyetje: Kur do ta hidhni, kur do ta rrëzoni? Sot është rasti këtu në Tiranë, të flas fare hapur e sinqerisht me këdo që e bën këtë pyetje, sepse i ka ardhur aty ku s’mban më. Pyetja nuk i drejtohet vetëm Partisë Demokratike dhe vetëm Lulzim Bashës as edhe vetëm opozitës. Rrëzimi i të keqes është detyrë kombëtare, ndaj përgjigjen po e jap unë, në emër të gjithë atyre që keni pyetur të dashur bashkëqytetarë se kur do ta rrëzojmë: Ejani të dielën në orën 19:00 në protestën tonë, bashkohuni me lëvizjen tonë, bëhuni pjesë e çlirimit të Tiranës, e çlirimit të Shqipërisë, nga kjo bandë hajdutësh dhe kriminelësh”,- deklaroi Lulzim Basha.

Thirrja e Bashës për protestë kombëtare dhe rrëzim të Edi Ramës vjen vetëm pak orë para se kryeministri të shpallë zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore. Një hap i tillë nga ana e PS dhe kryeministrit shihet se goditje finale që qeveria i bën procesit zgjedhor. Fushata do të zhvillohet në 61 bashki dhe në të gjitha nuk ka asnjë kandidat të opozitës. Hapja e fushatës është dhe rrëzimi de fakto i kërkesave të opozitës për dënimin e korrupsionit, ndëshkimin e vjedhjes së zgjedhjeve në vitin 2017 dhe gjithë aferave kriminale që PD dhe aleatët kanë denoncuar përgjatë kësaj kohe. Me çeljen e fushatës elektorale nga PS, Shqipëria hyn në një faze të re politike, e cila është dhe më e rrezikshmja në historinë e viteve të fundit. Për herë të parë kemi një parti që shkon në zgjedhje pa kundërshtarë politike, njëlloj si në kohën e komunizmit. Për herë të parë, pas ’90-ës kemi një qeveri dhe parti që vet do të votojë, vetë do numërojë dhe po vetë do shpallë rezultatin, pasi edhe OSBE tha se nuk dinte si të vepronte kur në zgjedhje s’ka opozitë. Pas kapjes së gjithë institucioneve, rrëzimit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, shteti po shkon drejt kapjes totale nga një grup i vogël njerëzish. Nga nesër nisë dhe kapja e pushtetit vendor vetëm nga një parti duke vënë në pikëpyetje gjithë sistemin që është ndërtuar në këto 29 vite. Nëse më parë dukej humor krahasimi i Rilindjes me monizmin komunist, nga sot të gjithë jemi dëshmitarë sesi një grup njerëzish i ardhur në pushtet me vota mund të kthehet në uzurpuesin më të paligjshëm të gjithë institucioneve duke shkatërruar institucionin e zgjedhjeve. Hyrja në fushatë pa kundërshtar është gjesti më flagrant i cenimit të demokracisë, pasi sot Rilindja nuk po shkon në fushatë, por po kryen vrasjen ligjore të opozitës. Shqipëria ka disa muaj në krizë të rëndë politike, por sot po Rama dhe PS-ja po hedhin me marrëzi një hap drejt përplasjes kombëtare. Megjithë problemet që mund të ketë opozita në aksionin e saj, një kryeministër që shkon drejt pushtetit absolut dhe konfliktit kombëtar me kaq dëshirë sa Edi Rama, moralisht nuk është më kryeministër.

Sot Edi Rama fillon fushatën, kurse nesër opozita do t’i japë përgjigjen vendimtare kryeministrit.

Qamil Xhani

 

 

 

SHKARKO APP