Basha nis takimet me demokratët: Berisha vendosi interesin personal mbi PD-në
Kryetari i PD-së ka nisur takimet me demokratët në terren. Këtë të mërkurë Lulzim Basha ndaloi në Dibër, ku tha se ai vetë, por edhe PD-ja e kishin të pamundur të ndikonin në vendimin e Departamentit të Shtetit, për të ndryshuar vendimin e shpalljes “non grata” të Sali Berishës.
“Ne nuk kishim në dorë asgjë, në vendimin e aleatit tonë strategjik. As mund ta ndikonim, as mund ta ndalonim. Shpallja “non grata” e Sali Berishës, është një vendim që është marrë nga aleati jonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju e dini se për muaj me radhë unë kam punuar me të dhe me partnerët tanë strategjik për të gjetur një zgjidhje pikërisht, për t’ia hequr këtë luks Edi Ramës.
Njeriu që me të vërtet ka bërë shumë për këtë parti, por dhe ka marrë shumë nga kjo parti, vendosi interesin e tij personal mbi interesat e demokratëve dhe ç’është më e keqja mbi interesat e të gjithë shqiptarëve. Kjo është e vërteta e qartë dhe e qëruar, gjithçka tjetër është gënjeshtër e sido që të serviret, prapë gënjeshtër ngelet”.
Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit që dolën nga kuvendi i 11 dhjetorit i kanë vendosur një ultimatum Bashës, për të liruar zyrat e selisë së partisë deri më 5 janar.