Basha nis takimet në terren dhe akuzon kryeministrin: Rama paguan 300 mijë euro për 25 këshilltarë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur takimet në terren, ashtu sikurse tha edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Në Dibër ai akuzoi qeverinë duke thënë se është një bandë e korruptuar që sundon vendin, duke e quajtur një sundim të paligjshëm të kryeministrit Edi Rama.

“Kudo anembanë Shqipërisë e në veçanti në treva të varfëruara me qëllim nga ky regjim siç është Dibra, siç është Bulqiza, siç është Mati, siç është Verilindja dhe Veriu në tërësi, por anembanë Shqipërisë edhe në Tiranë, 40% e familjeve nuk arrijnë dot të ngrohin shtëpitë e tyre. Ndërkohë që dimri jo vetëm ka trokitur, por po fillon me temperaturat nën 0”, tha Basha gjatë një takimi me strukturat e PD në Dibër.

Basha tha se me konsumin që bie ditë për ditë, mbyllen bizneset, shkatërrohet tregu i punës, shtohet numri i të papunëve dhe rritet numri i atyre që duan të largohen dhe që largohen nga vendi.

”Ky vend nuk ka qeveri, sepse në krye ka një bandë e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Ka një njeri të ulur në karrigen e kryeministrit që nuk ka hallin e njerëzve. Nuk qeveriset sepse anembanë vendit, nuk ka shtet. Nuk është një shtet i korruptuar dhe i kapur, por është një shtet i kapur nga të korruptuarit. Një shtet që siç e pamë javët e fundit është rrënuar deri ën tullën e fundit. Zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve, na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh e oligarkësh, e kriminelësh me të cilën mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve”.

SHKARKO APP