Basha nxjerr mashtrimin e Ramës: Jam njohur me platformën e Metës që në javën e parë të prillit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pranoi sot se është njohur me projekt platformën e Presidentit Ilir Meta që në javën e parë të muajit prill. Konfirmimi i Lulzim Bashës është një tjetër provë se kryeministri Edi Rama mashtron kur thotë se nuk ka marrë asnjë dokument të tillë.

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se më datën 8 prill ua ka dërguar platformën faktorëve politikë dhe ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë.

Pyetje: Ndjeheni i gatshëm të uleni në një tryezë për integrimin, për drejtësinë, siç e ka propozuar sot Presidenti i Republikës?

Swiss Digital Desktop Reklama

Lulzim Basha: Jam njohur me propozimin e Presidentit që në javën e parë të prillit. E ka marrë përgjigjen time. I kam thënë që Edi Rama absolutisht ka 15 detyra për të kryer, opozita ka 1 detyrë për të kryer. Në këtë detyrë Edi Rama nuk po tregon vullnet. Ne do të vazhdojmë të tregojmë vullnet deri në fund për ta realizuar, 14 detyrat e tjera kanë të bëjnë me Edi Ramën, kanë të bëjnë me arrestimin e njerëzve që mban në krahun e tij të djathtë të dosjeve 339 dhe 184, është një nga kushtet e Bashkimit Europian. Ka të bëjë pra me vënien e drejtësisë për zgjedhjet e vjedhura, ka të bëjë natyrisht me Reformën Zgjedhore, ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Në asnjë nga këto detyra opozita nuk është e pranishme. Detyra e opozitës është një dhe vetëm një dhe në tryezën e reformës zgjedhore jemi për një dhe një arsye: Për të larguar një orë e më parë Edi Ramën që është e keqja e vendit, është e keqja e Shqipërisë, është e keqja e të ardhmes tonë europiane.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pyetje: Domethënë çfarë përgjigje i keni dhënë Presidentit zoti Basha?

Lulzim Basha: Përgjigjen që sapo ju thashë.

Pyetje: Që jeni të gatshëm?

Lulzim Basha: Jo. Përgjigjen që sapo ju thashë. Thashë që opozita po e bën detyrën e saj me reformën zgjedhore, që opozita po e bën detyrën e saj me 15 kushtet për integrimin. 15 kushtet për integrimin janë për ne udhërrëfyesi për të nxjerrë vendin nga kriza, për ta çuar drejt zgjedhjeve një orë e më parë, me standarde dhe me garanci. Kjo është detyra e opozitës. Opozita nuk mund të bëhet fasadë, aq më pak e një njeriu që ka treguar se nuk ka vullnet as për reformën zgjedhore, dhe siç treguan ngjarjet e dy javëve të fundit është përpjekur çdo ditë të sabotojë dhe të hedhë në erë procesin e reformës zgjedhore, të mbajë peng Shqipërinë në procesin e integrimit europian për t’i shërbyer interesave të veta. Kaq e thjeshtë.

Pyetje: Ka një propozim, nuk e di nëse jeni njohur përmes kanaleve të tjera apo nga vetë ambasadorja Kim përmes komunikimeve që mund të keni pasur që të zbatohet në Shqipëri sistemi i Danimarkës, listat e hapura?

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë propozim të tillë. Nuk ka asnjë sugjerim të tillë, nuk ka asnjë propozim të tillë. Jua thashë para dy ditësh dhe i qëndroj njëqind për qind që nuk ka një propozim të tillë amerikan. Por ka një vullnet timin personal për t’ju dhënë shqiptarëve cilindo sistem ata ta gjykojnë më të mirin dhe më të përshtatshmin. Këtu sigurisht nuk shoh vullnet nga ana e Edi Ramës. Nuk shoh asnjë vullnet për të ndryshuar sistemin, ndaj le ta largojmë me votë dhe pas kësaj të zgjedhim sëbashku sistemin më demokratik dhe pse jo dhe institucione të reja kushtetuese, siç është p.sh parlamenti me dy dhoma që fuqia mos të jetë në dorë të kryeministrit, oligarkëve, krimit, por të jetë në dorë të qytetarëve. Unë kam bërë propozim për sistem maxhoritar, jam i hapur për listat e hapura. Jam i hapur për çfarëdo lloj reforme që fuqizon qytetarin dhe rivendos kontrollin dhe balancat duke mos përqendruar pushtetin në duart e një njeriu, por detyra e parë është të shporrim me votë masive popullore këtë keqbërës që ka marrë peng vendin dhe do të marrë peng të ardhmen e tij europiane.

https://arkiva.kohajone.com/prova-qe-rama-genjen-per-platformen-e-presidentit/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?