Basha pas takimit me Lu: Zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike
Zgjedhjet e parakohshme dhe një qeveri teknike janë një opsion i demokratëve që është në tavolinë. Teksa së pari, qeveria duhet të reflektojë për çështjen e dekriminalizimit dhe ekonomisë në vend.
Ky ka qenë qëndrimi i shprehur publikisht nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, sot pas takimit me ambasadorin amerikan, Donald Lu.
Sipas tij, gjendja në vend është shumë e rëndë, porse PD-ja është e vendosur të çojë deri në fund ligjin e dekriminalizmit për të çuar para drejtësisë ministrat e korruptuar.
“Gjendja në vend është shumë e rëndë dhe arsyet e kësaj krize, ekonomike politike dhe psikologjike që po kalojnë shqiptarët, janë rrënjët e inkriminuara të politikës dhe aftësia e jo më të aftëve për të përparuar, por aftësia e krimit për t’iu imponuar vendimmarrjes. Ndaj PD-ja dhe unë qëndrojmë të vendosur për të çuar deri në fund dekriminalizmin për vënien para drejtësisë të ministrave të korruptuar, të deputetëve të korruptuar e zyrtarëve të korruptuar. Për të patur mundësi të përgatisim zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është një gamë e gjerë diskutimesh që e kam në axhendën time në takimet me qytetarët dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Basha.
Duke përfunduar se prioritete të PD-së janë përfundimi ligjit të dekriminalizimit dhe implementimi i tij, largimi nga administrata dhe bashkitë i njerëzve me rekorde kriminale si dhe lufta frontale kundër korrupsionit.
“Vjedhja e parave të shqiptarëve nga zyrtarët e lartë është plagë e paprecedentë në Ballkan, por në Shqipëri jo vetëm që vidhet haptazi por hajdutët rrahin gjoksin. Nuk ka kryeministër në Europë si kryeministri shqiptar që ka ministrat të implikuar në çdo aferë korruptive në vend, të Beqajt, Kodhelit, Gjiknurit dhe të shprehet krenar para një populli që varfërohet çdo ditë. Kjo është një situatë dramatike. Nëse nuk ka refleksion dhe bashkëpunim për të ecur para me dekriminalizmin dhe për zgjedhjet, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse ta përballim këtë qeveri me qytetarët për largimin e saj”, theksoi kreu i PD-së.
KOHA JONË SONDAZH

