Basha: Rama dështoi në çdo sektor! Nëse nuk e ndalim sot, Shqipëria do të përballet me një krizë urie
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se kryeministri Edi Rama dështoi në çdo sektor të ekonomisë.
Teksa ka publikuar një video në “Facebook” ku përmenden premtimet e Ramës, lideri demokrat theksoi se shpenzimet për të jetuar dhe papunësia rriten çdo ditë. Mes të tjerash ai iu premtoi qytetarëve që PD do të sjellë shpresën për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Për 8 vjet Rama dështoi në çdo sektor dhe e shkatërroi ekonominë. Shpenzimet për të jetuar dhe papunesia rriten çdo ditë. Ne do të sjellim shpresë për Shqiperinë dhe shqiptarët”, shkruan Basha.
Ndërsa në videon e publikuar nga Basha thuhet: “Çmimet e ushqimeve janë rritur me 40%, gjysma e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri. Nëse nuk e ndalim sot Shqipëria do të përballet me një krizë urie. Ne kemi një plan konkret, do të rrisim punësimin, do të krijojmë vende të reja pune, me paga dhe pensione më të mira, duke e bërë kosoton e jetesës së përballueshme”.