Basha: Rama ka humbur kontrollin mbi pandeminë! Duhen veprime të shpejta për të rritur testimet dhe fondet
Kreu i PD, Lulzim Basha e ka nisur javënme një thirrje drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë për të marrë vendime dhe veprime të shpejta për të përballuar pasojat e pandemisë.
Basha thotë se Rama e ka humbur kontrollin mbi pandeminë edhe pse vala e dytë e COVID-19 ishte e paralajmëruar.
Ai shton se po të kishte dëgjuar opozitën, qeveria do i kishte marrë masat e duhura më parë teksa sot Basha kërkon sërish nga Rama të lërë llafet dhe të rrisë testimet dhe fondet për të ndihmuar të sëmurët, shëndetësinë dhe ekonominë.
Postimi i plotë i Kreut të PD, Lulzim Basha
Numri i të sëmurëve nga Covid-19 po rritet përditë, fatalitetet po shtohen dhe kapacitetet shëndetësore po shkojnë drejt kolapsit. Rama ka humbur kontrollin mbi pandeminë, megjithëse vala e dytë ishte paralajmëruar. Po të na kishte dëgjuar, qeveria do kishte marrë masat e duhura.
Në vend të llafeve, sot më shumë se kurrë duhen vendime dhe veprime të shpejta për të rritur testimet dhe fonde për të ndihmuar të sëmurët, shëndetësinë dhe ekonominë. Asgjë nuk është më e çmuar se jeta e njerëzve!