Basha-Ramës: E ke një hall të madh që për të mbrojtur korrupsionin tënd, e mbylle PS në plehra
Në bashkëbisedimin me gazetarët, kryedemokrati Lulzim Basha zbuloi se konçesionari i inceneratorit të Fierit u përzgjodh pa vlerësuar oferta financiare.
Kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje sulmeve për kontratat e jashtëligjshme të inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan. Në replikën e tij përmes faqes zyrtare në rrjetin social “Tëitter”, Rama ka shigjetuar Lulzim Bashën duke i thënë se falë impianteve të reja do mund të mblidhen qytetarët, teksa e ka cilësuar politikën e vjetër dhe Partinë Demokratike si male me plehra.
Por këtij reagimi të kreut të Qeverisë do t’i kundërpërgjigjej sërish kryedemokrati Lulzim Basha po në rrjetet sociale, i cili kujton se politika e vjetër ka erën e gropës së Hajdin Sejdisë ku Edi Rama nuk vuri dorë 11 vjet si kryetar bashkie; politika e vjetër ka fytyrën e zërin e Edi Ramës që për 7 vjet në krye të qeverisjes e mbushi vendin me plehra dhe me inceneratorë që djegin vetëm milionat që ai ka zhvatur nga xhepat e shqiptarëve.
Nisur nga këto, Basha paralajmëroi kreun e qeverisë se dita për të dhënë llogari po afron.
Por Rama nuk do të ndalej me kaq, ndërsa reagoi sërish në rrjetet sociale lidhur me inceneratorët.
“Ah Lul, të ka mbet ora tek Gropa e Hajdin Saliut, po habitem si s’e kupton që sa më shumë sulmon impiantet moderne të mbetjeve, aq më shumë tregon se nuk ndahesh dot nga malet me plehra të Sali Hajdinit! Ta qaj hallin, je mes gropës së tij dhe grepit të Likes për tiganin e Monës!”, tha ai.
Kaq ka mjaftuar që kryedemokrati Basha të reagojë sërish, duke theksuar se për të mbrojtur korrupsionin e tij, Rama e mbyll PS-në në një vendgrumbullim plehrash, kuptohet se Rama e ka një hall të madh.
“Kur për të mbrojtur korrupsionin tënd, mbyll PS në një vendgrumbullim plehrash, kuptohet se e ke një hall të madh. Por halli yt nuk ka asgjë të përbashkët me hallet e Shqipërisë. Në gropën e zezë ku je futur nuk do ta marrësh dot Shqipërinë me vete. Ora e gjykimit po afron!”, shprehet Basha.