Basha: Shërbime cilësore nga qendra në periferi!
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka parë nga afër përfundimin e këtij projekti dhe ka ndarë me banorët kënaqësinë e një tjetër premtimi të mbajtur i cili shkon në drejtim të realizimit të vizionit të z. Basha, – Tirana moderne dhe europiane fillon tek pragu i derës së qytetarëve.
“Nuk mund të ndjej kënaqësi më të madhe kur bashkë me qytetarët e Tiranës që jetojnë në këtë zonë të shohim se sa shumë ka ndryshuar cilësia e jetës së tyre, se çfarë ndryshimi nga nata me ditën është jeta për këtë komunitet, për këta familjarë, këta fëmijë e të moshuar, në krahasim me një, dy, dhjetë, apo pesëmbëdhjetë vite më parë, kur kjo nuk i ngjasonte qytetit por i ngjasonte një prej zonave më të prapambetura të Shqipërisë.
Ky është qëllimi i ekzistencës së pushtetit, vendor apo qendror. T’ua bëjë jetën më të lehtë qytetarëve, t’ua bëjë jetën më të mirë qytetarëve, t’u shërbejë qytetarëve, të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Përndryshe, pse ekziston pushteti?! Kjo rrugë tashmë do të shërbejë edhe si një arterie e rëndësishme urbane, do të lidhë dy zona që nuk komunikonin me njëra-tjetrën, do i sjellë anëtarët e këtij komuniteti më pranë qendrave dhe qendrës së Tiranës, do të rivalorizojë (rivlerësojë) pronat e tyre, do të japë akses më të lehtë dhe më të mirë shërbimesh komunitare dhe për shërbimet e tjera të shëndetësisë e arsimit. Mbi të gjitha, besoj se i bën të ndihen më shumë qytetarë të Tiranës se ç’ndiheshin pak vite më parë dhe nëse është kështu, kjo më jep edhe një kënaqësi të madhe jo vetëm për fjalën e mbajtur por edhe për faktin se përmes këtij shërbimi, përmes këtij investimi çojmë përpara axhendën tonë të një Tirane moderne e europiane, me shërbime cilësore nga qendra në periferi” – deklaroi kryebashkiaku Basha.
Pjesë e këtij investimi do të jetë dhe ndërtimi i një ure me gjatësi 5 m dhe gjerësi 8 m. Rruga ka një gjerësi prej 5 m. Përgjatë gjithë rrugës ka ndriçim, gjelbërim (janë mbjellë 272 fidanë, pemë bli), është ndërtuar sistemi i ujësjellësit, kanalizimet e ujrave të bardha dhe të zeza si dhe është bërë zëvendësimi i mureve rrethues të shtëpive me kangjella si dhe është bërë spostimi i linjave të tensionit të ulët dhe telefonisë (përfshi shtyllat).
Z. Basha ka shprehur vendosmërinë e tij për t’i shërbyer qytetit dhe qytetarëve dhe për të përmirësuar sa më shumë jetën e tyre, pavarësisht bllokimit që qeveria i bën çdo ditë në punën e saj.
“Hallet e qytetarëve janë të mëdha, problemet e tyre janë të mëdha. Të kemi mundësi t’ua lehtësojmë sadopak, të përpiqemi t’ua lehtësojmë sa më shumë! Ky është qëllimi i Bashkisë së Tiranës, i imi si kryebashkiak dhe këtu jam i vendosur të vazhdoj me të gjithë fuqitë dhe energjitë e mia e të bashkëpunëtorëve të mi dhe nuk ka forcë negative e agresive ta ndalë Bashkinë e Tiranës dhe mua si kryebashkiak, për t’u shërbyer deri në fund qytetit tonë, qytetarëve që e meritojnë dhe kanë nevojë për këtë përkrahje.
Shpreh bindjen se ata që e mendojnë pushtetin si kalit që i kanë hipur e prej të cilit me arrogancë, arbitraritet, nuk mendojnë se si të lehtësojnë jetën e qytetarëve por mendojnë ditë për ditë si t’ua vështirësojnë jetën qytetarëve, si t’ua bëjnë edhe më të vështirë kushtet që tashmë janë vështirësuar gabohen rëndë dhe kam bindjen se kur të ndeshen me gjykimin popullor, me gjykimin qytetar, këtu në Tiranë e anembanë Shqipërisë do të marrin atë që meritojnë.
Qytetarët nuk votojnë pushtetarë për t’i hipur kalit e për t’u dhunuar të drejtat, për të projektuar arrogancë, për të përkeqësuar një gjendje tashmë të rëndë dhe të papërballueshme por votojnë zgjidhje për hallet e problemet që kanë, zgjidhje që sot Bashkia e Tiranës do të vazhdojë t’ua japë qytetarëve. Jam i bindur se në të ardhmen, këto zgjidhje dhe këto modele do të funksionojnë për të gjithë Shqipërinë” – deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Nga rruga Pasho Hysa, z. Basha ka përcjellë edhe një mesazh për qeverinë e cila çdo ditë po e varfëron më shumë këtë vend.
“Që të ngjitesh është e vështirë. Të zbresësh është kollaj. Le ta mbajnë mend këtë, para se të vijë hera tjetër për votimet!” – theksoi z. Basha.