Basha: Shqipëria është shpopulluar frikshëm, vendit i duhet një qeveri funksionale

Basha u shpreh se Shqipëria është shpopulluar frikshëm nga të rinjtë gjatë 7 viteve të Ramës në pushtet. Sipas kreut të PD, vendi ynë renditet i dyti pas Sirisë për numrin e aplikimeve për azil për 100 mijë banorë.

Basha tha se ky realitet i trishtë të marrë fund, Shqipërisë i duhet një qeveri funksionale që punon për rininë dhe kujdeset për ta.

Duke folur për frenimin e emigracionit, Basha tha se “ne do të kujdesemi për familjet shqiptare dhe sidomos për të rinjtë, duke ofruar lehtësi në shkollim si dhe hapësira konkurruese për punësim si në vendet e rajonit. Asnjë bir apo bijë shqiptari nuk do të privohet nga e drejta e studimit për shkak të pamundësisë ekonomike. Ne do të subvencionojmë tarifat universitare dhe do të vendosim bursa për të rinjtë, që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta e stazhe me pagesë për studentët”.

Kreu i PD premtoi investime për bizneset që hapin vende pune. “Mbështetja e sipërmarrjeve të të rinjve si dhe e sipërmarrësve që hapin vende pune për të rinjtë dhe financimi i trajnimeve të duhura që të rinjtë shqiptarë të sigurojnë punë me të ardhura të larta, janë përparësi e planit tonë ekonomik. Ne do të bëjmë gjithçka që jo vetëm të rinjtë shqiptarë të mund të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, por edhe ata që janë larguar të kthehen dhe të nisin një jetë të re pranë familjeve të tyre”,- deklaroi kreu i PD.

SHKARKO APP