Basha takim me peshkatarët në Vlorë: Qeveria e pas 25 prillit do të kujdeset për ju, ja tre hapat që do ndërmerren!

Kryedemokrati Lulzim Basha, në një takim që kishte me peshkatarët në qytetin e Vlorës, foli për mbështetjen që PD do i ofrojë kësaj kategorie.

Ai tha se peshkatarët shqiptarë kanë nevojë për subvencionimin e rrjetave të peshkimit, mjeteve të tjera dhe mbështetje.

Ndër të tjera ai tregoi tre shtyllat e Partisë Demokratike për sektorin e peshkimit.

“Jemi në portin e peshkimit në Vlorë, ku kemi diskutuar për problemet që kanë peshkatarët e vendit, të cilët punojnë nga mesnata e prapë deri në mbrëmje vetëm për të siguruar bukën e gojës për familjen e tyre. Nuk ka vend si ky i yni që peshkatarit nuk i jepet një dorë, por përkundrazi gjobitet dhe taksohet. Shikoni këtë port, që ka mbetur si në mesjetë pa ujë, drita, pa asgjë. Ndërkohë që çmimet e rrjetave dhe pajisjet e tjetra të punës i këpusin në mes pa dalë akoma në det. Në planin tonë kemi angazhime të qarta për ti ardhur në ndihmë peshkatarëve, së pari me subvencionimin 100% të rrjetave. Ndërtimin e një tregu peshku dhe krijimin e një rrjeti tregu nga Saranda në Vlorë, nga Durrësi në Shëngjin që produkti i tyre të mos prishet, të mos shkojë kot dhe mundi i tyre të kthehet në mirëqenie për ta dhe familjen e tyre. Greqia ku u zhyt nga kriza financiare e përmbysi nga peshkimi dhe turizmi. Qeveria e pas 25 prillit, do të kujdeset në subvencionimin e peshkatarëve, do të investojë fuqishëm në tre drejtime, me subvencionimin e rrjetave dhe pajisjeve të tjera të peshkatarëve shqiptarë. Shpenzimet që peshkatarët bëjnë me njëmijë sakrifica për shërbime që bëhen në Greqi dhe Itali të bëhen këtu në Shqipëri dhe së treti në grante për të përmirësuar flotën e peshkimit dhe për t’iu mundësuar peshkatarëve që misionin e tyre të vështirë ta kalojnë me qeverinë. 25 prilli do të jetë ditë ndryshimi për vlonjatët dhe të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

SHKARKO APP