Basha takon eurodeputetin nga Austria: Kosova në institucionet euroatlantike, kontribut për stabilitetin në rajon
Lulzim Basha është takuar me deputetin e Parlamentit Europian nga Austria, Lukas Mandl, që është një mbështetës i fortë dhe i vendosur i shqiptarëve dhe i Kosovës.
Pjesë e bisedës ka qenë situata në rajon, ku Basha shprehet se kërcënimet që vijnë nga Serbia dhe lidhjet e saj me Rusinë dhe akti terrorist i Banjskës është një këmbanë alarmi për paqen dhe sigurinë që meriton vëmendjen e BE.
“Biseduam për situatën në rajon, kërcënimet që vijnë nga Serbia dhe lidhjet e saj me Rusinë. Akti terrorist i Banjskës tregoi se Rusia po mbështet taktika dhe strategji të njëjta me Krimenë, që më pas i hapi rrugë luftës pushtuese ndaj Ukrainës. Kjo është një këmbanë alarmi për paqen dhe sigurinë në rajon dhe Europë ndaj meriton vëmendje prioritare nga Bashkimi Europian dhe vendet anëtare”, shkruan Basha.
“Njohja e Kosovës nga vendet e BE-së dhe NATO-s, që ende s’e kanë njohur, dhe anëtarësimi i saj në institucionet euroatlantike, është kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Europë”, përfundon postimin Basha.