Basha takon fermerët në Lushnje: Tregu juaj kontrollohet si burg i sigurisë së lartë nga grupet kriminale
Sëbashku me kandidatin e PD-së për kryetar të Bashkisë së Lushnjes, Indrit Sefa, kryetari Lulzim Basha takoi këtë të mërkurë fermerët e zonës.
Basha tha se një problem madhor për fermerët e Lushnjës është edhe tregu i qytetit, që sipas tij edhe pse është ndërtuar me financim nga Banka Botërore, kontrollohet njësoj si inceneratorët, si burg i sigurisë së lartë nga banda e Lushnjës. Kryedemokrati ngriti edhe shqetësimin se qeveria po përdor tollonat e naftës për të joshur fermerët dhe qytetarët disa ditë para zgjedhjeve të 6 marsit.
Kreu i PD u bëri thirrje të gjithë fermerëve që ditën e dielë të votojnë për Indrit Sefën, pasi sipas tij gjëja e parë që do të ndodhë është që tregu i Lushnjës do të çlirohet nga banda e Lushnjës.
”Tregu i Lushnjës, ndërtuar me financim të Bakës Botërore për t’iu dhënë akses fermerëve të Lushnjës. Kontrollohet njësoj si inceneratorët, si burg i sigurisë së lartë nga banda e Lushnjës. Tarifat ngjajnë me gjobat. Ju futeni me kokën poshtë sikur po futeni në burg dhe me xhepat bosh. Kryetari që do zgjidhni të dielën, ose do jetë sllav i bandës së Lushnjës, ose do jetë dikush që do sjell ndryshimin e parë, që të paktën tregun e Lushnjës t’ia kthejë lushnjarëve”.