Basha takon Lu: Opozita ka mbështetjen e ndërkombëtarëve
Java politike e Lulzim Bashës nisi me një takim me ambasadorin amerikan, Donald Lu, në përfundim të të cilit, kreu i demokratëve tha për mediat se opozita ka mbështetjen e ndërkombëtarëve për nismat e saj ligjore në Parlament.
Nismat e PD-së në Kuvend janë disa. Së pari dekriminalizimi.
“Ne jemi të vendosur që të largojmë nga Parlamenti dhe administrata të gjithë kriminelët dhe për këtë nuk bëjmë kompromis. Unë dua t’u them që për luftën kundër korrupsionit, sikundër për dekriminalizmin e politikës, kemi mbështetjen e plotë të partnerëve tanë”, tha Basha.
Basha është pyetur edhe në lidhje me akuzat ndaj kreut të Kuvendit, të cilit i përsëriti thirrjen e javës së kaluar për të votuar nismën e demokratëve për një hetim ndërkombëtar të skandalit të CEZ-it.
“Kryetari i LSI-së, që është kryetari i Parlamentit, ka shprehur gatishmërinë dhe ky është momenti që nga shprehja të kalojë në vepra. Këtë thirrje ia bëj dhe PS që të votojmë bashkarisht sepse dhe Rama me siguri do të ketë interes të zbardhet pjesa e tij në ndarjen e 500 milionë eurove, po të heqim 135 të DIA-s, ku akuzat janë për ortakun e tij. Të votojmë ligjin dhe t’i hapim dritën jeshile pranisë së prokurorëve ndërkombëtarë”, shtoi kreu i opozitës.
Basha kërkoi gjithashtu veprime konkrete prej kreut të Kuvendit, duke i bërë thirrje që të mbledhë Konferencën e Kryetarëve dhe të enjten të kalojë në seancë plenare propozimi i tyre për hetim ndërkombëtar.
“Axhenda jonë është shpallje publike në interes të qytetarëve. I bëjmë thirrje çdo deputeti që të votojë nismat tona ligjore, hetimin ndërkombëtarë të aferave korruptive të CEZ dhe reformat të tjera në interes të vendit, siç është reforma në drejtësi”, deklaroi Basha.
KOHA JONË SONDAZH

