Basha thirrje demokratëve: Berisha ju ka mashtruar, ”non-grata” nuk hiqet kurrë
Lulzim Basha thotë se Sali Berisha i ka mashtruar demokratët. Ai tha se me sajesat dhe trillimet e tij qesharake, ish-kryeministri Berisha ka mashtruar rreth arsyeve përse është shpallur ”non-grata” nga SHBA, në një kohë kur motivacioni ka qenë dhe është i qartë për çdokënd që nuk ka dëshirë të gënjehet. Basha nënvizoi se shpallja ”non-grata” nuk hiqet kurrë.
”Sali Berisha, duke njohur mirë ndjenjat proamerikane të shumicës dërmuese të demokratëve dhe popullit shqiptar, ka mashtruar duke ju mbajtur të fshehtë me sa ka mundur deklaratat e qarta e të përsëritura të përfaqësuesve të SHBA dhe presidentit Biden se SHBA do të ndërprese çdo marrëdhenie me një PD të drejtuar nga një e person non grata, cilido qoftë ai.
Sali Berisha ju ka mashtruar e ushqyer me iluzione sikur non-grata amerikane është një vendim politik i një administrate që mund të hiqet nga administrata tjetër. Shpallja ”non-grata” për korrupsion nuk i është hequr kurrë, askujt.
Berisha është treguar gënjeshtar me ju duke e përjashtuar veten e tij nga vendimarrjet me të rëndësishme të PD-së gjatë tetë viteve tona në opozitë, në një kohë kur ai ka qenë pjesë e vendimmarrjes madje edhe duke i paraprirë me deklarata mediatike, dhe me protagonizmnin e tij rivalizues me institucionet e zgjedhura te PD.
Sali Berisha ju ka mashtruar keq duke gënjyer, trilluar e shpifur pa hesap kundër meje, pa paraqitur asnjë fakt a provë sado të vogël, e gjithë kjo që të mbledhë pas vetes mbështetës e të bëjë turmën e karshillëkut kundër SHBA dhe të hedh demokratët kundër njëri-tjetrit”.