Basha: Vendi s’ka për të mbetur peng i asnjë bande
Numri një i demokratëve shqiptarë, Lulzim Basha ka dalë sot para mediave për të folur mbi kërcënimet ndaj tij, të bëra nga Emiljano Shullazi dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për këto kërcënime.
“Rama po instalon regjimin e heshtjes. Kërcënimi i Ramës filloi që herët me shprehjen “S’keni parë gjë akoma”. Pak ditë më parë Edi Rama ka hedhur hapin tjetër, duke shfrytëzuar Shullazin, të kërcënojë opozitën, konkretisht mua si kreu i PD-së”, ka thënë Basha.
Ai tha se opozita është e vetmja shpresë për të nxjerrë vendin nga tuneli i errët ku e ka futur kundërshtari i tij politik. “Edi Rama nuk po kupton se skema e tij është skema e një dështaku. Edi Rama kërkon të mbajë mbyllur fjalën e lirë, kërkon të heshtë opozitën, e vetmja shpresë të nxjerrë vendin nga ky tunel i errët ku e ka futur Rama”, nënvizoi Basha.
Kreu i PD-së theksoi se opozita është e vendosur për ta çuar deri në fund betejën me lidhjet kriminale duke qëndruar në shërbim të së vërtetës. “PD nuk ka patur kurrë asnjë takim me frikë. Ju them se do të jemi këtu më të vendosur se kurrë për të çuar deri në fund betejën tonë me lidhjet kriminale. Çdo ditë, PD, opozita dhe unë do të jemi në shërbim të interesit më të lartë publik, në shërbim të së vërtetës. Vendi s’ka për të mbetur peng i asnjë bande”, përfundoi Basha.
KOHA JONË SONDAZH

