Basha: Vota për ne është për SPAK-un dhe për kthimin e pasurisë tek qytetarët

Lulzim Basha bashkë me kandidatin për deputet Abaz Tafa, zhvilluan takime me qytetarë dhe të rinj në Njësinë 12 në Tiranë. Në qendër të bisedave ishte rëndësia e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 majit dhe nevoja për një ndryshim të vërtetë në drejtimin e vendit.
Basha theksoi se modeli aktual i qeverisjes është i dështuar dhe se Shqipëria nuk mund të ecë drejt integrimit europian me një model të tillë. Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme janë një mundësi për qytetarët, sidomos për të rinjtë, për të ndëshkuar korrupsionin dhe për të mbështetur drejtësinë.
”Ne jemi një lëvizje që synon t’i japë mbështetje SPAK-ut, për ta çuar deri në fund luftën kundër korrupsionit. Vetëm ne e bëjmë këtë. Të tjerët kanë hallin e atyre që nxjerrin nga burgu, jo të qytetarëve. Këta nuk duan ta luftojnë korrupsionin, këta janë korrupsioni. Këta e duan votën për të nxjerrë shokët nga burgu. Programi ynë është i kundërt: na jep votën ta mbushim plot 7×7=313, sepse vetëm kështu kthehen paratë në xhepat e shqiptarëve”,-tha Basha.