Basha-Yunus: Fonde të përbashkëta për hapjen e bizneseve të reja dhe rritjen e punësimit

Basha ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të Yunus për t’u dhënë mundësinë e hapjes së një biznesi, vetëpunësimit dhe punësimit mijëra njerëzve anembanë botës.

“Nxitja e hapjes së bizneseve të reja dhe punësimi është prioritet i Bashkisë së Tiranës”,theksoi Basha.

Basha e njohu nobelistin Yunus me iniciativat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja dhe zgjeruar ato ekzistuese, kryesisht nga të rinjtë.

“Bashkia e Tiranës  ka vendosur një fond prej 1 milion euro, i cili shërben si fond garancie për bizneset e reja që hapen apo drejtohen nga të rinj, një skemë që përdoret për herë të parë nga pushteti vendor në Shqipëri.  Bashkia dhe donatorë të tjerë kanë vënë një fond prej 5.2 milionë dollarë për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Tiranë”, u shpreh Basha.

Ndërsa Profesor Yunus ka mirëpritur ftesën e kryebashkiakut Basha për bashkëpunim, si dhe ranë dakord për vënien në dispozicion të fondeve të përbashkëta për hapjen e bizneseve të reja dhe rritjen e punësimit.

Muhammad Yunus ka qenë profesor i njohur në “Chittangog University” në Bangladesh, një vend me varfëri ekstreme, që e bëri atë të krijonte një skemë të mikrokreditimit të fermerëve të varfër në vendin e tij.

Më pas, ai themeloi “Grameen Bank”. Përmes sistemit të mikrokreditimit,  Yunus ka mbështetur mijëra njerëz në mbarë botën, ku 94% e përftuesve janë gra. Për këtë kontribut të madh në luftën kundër mjerimit dhe varfërisë, zotit Yunus i është akorduar çmimi “Nobel”.

SHKARKO APP