Bashkë me Ballukun, Rama në portin e ri të Vlorës: Do të sistemohet e gjithë flota e peshkimit
Kryeministri Edi Rama, bashkë me zv/kryeministren dhe ministren Belinda Balluku inspektuan bashkë me deputetët e PS-së, punimet në portin e ri të Vlorës, ku do të ankorohen anijet e peshkimit, tragetet e udhëtarëve dhe anijet e mallrave. Po ashtu Rama theksoi se do të instalohen brenda gushtit edhe dy anije prodhuese të energjisë elektrike.
“Fillon një kantier me një rëndësi të jashtëzakonshme për shumë arsye për një port që më në fund e meriton këtë emër se qoftë ai që kemi atje, qoftë ky i peshkatarëve janë parkime ujore mesjetare dhe së dyti sepse këtu sistemohet e gjithë flota e peshkimit ndërkohë që me programin e mbështetjes për industrinë e peshkimit ne do të vijojmë të financojmë qoftë riparimin e anijeve dhe blerjen e anijeve të reja.
Së treti sepse do të rrisë fluksin e tregtisë përmes detit, së katërti se edhe për pasagjerët do të bëhet diçka me standarde. Njëkohësisht kemi një port turistik në anën tjetër që do të jetë një nga perlat e Mesdheut dhe do të sjellë zhvillim të madh ekonomik jo vetëm për Vlorën por edhe për të gjithë industrinë”,-tha Rama.