Bashkëpunim me Ramën? Kryemadhi: Ofertave politike u ka ikur koha. Do qep ndonjë fustan tek ai kur të bëhet rrobaqepës
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e përjashtoi mundësinë e një bashkëpunimi politik me kryeministrin Edi Rama. Ajo u shpreh e bindur se ofertave politike të Ramës u ka ikur koha.
”Mendoj që ofertave të Edi Ramës për qeverisje jo vetëm u ka ikur koha, por çdo ofertë e Edi Ramës do ta shikoja si një dhunim që i bëhet një të dhunuari përsëri. Shqiptarët duan që të kthehen dhe të jetojnë në Shqipëri. Mendoj se mjekët dhe shqiptarët të punojnë në shoqëri. Këtë duan shqiptarët. Shqiptarët duan punë dhe ekonomi”, tha ajo në ”Euronews Albania”.
Ajo bëri dallimin mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta. ”Ilir Meta ka dhënë dorëheqje kur është dashur, por ky Edi Rama pse nuk jep dorëheqje, shqiptarët atë asnjëherë nuk e kanë votuar”. Po ashtu kryetarja e LSI-së, i’u përgjigj kritikave të adresuara ndaj partisë, ku një pjesë e qytetarëve e etiketojnë atë si parti klienteliste. Kryemadhi theksoi se LSI-së i mbron njerëzit e saj dhe u jep përparësi të rinjve.
Po një bashkëpunim tuajin sërish me Edi Ramën e përjashtoni pas 25 prillit?
Unë mendoj se mund të qep ndonjë fustan tek Edi Rama kur të bëhet rrobaqepës, thjesht për t’i bërë qejfin në shenjë bamirësie apo në shenjë mëshire. Por bashkëpunim tjetër jo.
Si ndihesh kur sheh që kur flet për ju vë filxhanin e kafesë?
Sepse mesa duket është munduar shumë duke e parë filxhanin e kafesë dhe i thonë: të del një “M” aty që s’të lë rehat.
A di ai diçka në aftësitë e tua parashikuese?
Unë nuk kam aftësi parashikuese, jo vetëm për të, por për çdo njeri tjetër. Unë jam e drejtpërdrejtë, nuk i bëj njeriu keq për hir të së vërtetës. Mundohem gjithmonë që të bashkëpunoj me njerëzit në sinqeritet maksimal. Nganjëherë sinqeriteti im i tepruar quhet edhe dobësi, por unë e kam quajtur armën time më të fortë.