Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë, Lindita Nikolla: Kuvendet janë një kantier pune
Në Tryezën e parë të përbashkët të Kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovë, mbajtur në Tiranë, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se Kuvendet janë nxitës të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës. Po ashtu, ajo i cilësoi Kuvendet si kantier pune. ”Bashkëpunimi parlamentar është jetik, jo vetëm sepse i jep më shumë legjitimitet bashkëpunimit të institucioneve, por edhe sepse do të kontribuojë drejtpësëdrejti në nxitjen e bashkëpunimit midis qeverive, institucioneve dhe qytetarëve të të dy vendeve”.
Fjala e plotë
Sot organizuam Tryezën e parë të përbashkët të Kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Jam shumë e lumtur që u mblodhëm të gjithë bashkë, rreth një tryeze pune, për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta, por edhe sfidat e veçanta të të dy Kuvendeve tona.
Ky takim u organizua menjëherë dhe si rezultat i vizitës simë të parë zyrtare në Prishtinë dhe diskutimeve të frytshme që pata me Kryetarin e Kuvendit, z.Glauk Konjufca, dhe Kryeministrin, z.Albin Kurti. Paralel me këtë Tryezë, grupet e punës të të dy Kuvendeve, nën drejtimin e Sekretarëve të Përgjithshëm, në Prizren janë duke punuar për finalizimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve tona.
U mbledhëm rreth një tryeze, të cilën unë do ta quaja një kantier pune, të të zgjedhurve të kombit shqiptar, për të diskutuar për t’u shërbyer më mirë bashkëkombasve e qytetarëve tanë, kudo ku ndodhen.
U bëmë bashkë përfaqësues të të gjithë spektrit politik, nga të dy Kuvendet. Në këtë takim pune nuk kishte as të majtë, as të djathtë. Jemi të gjithë deputetë të zgjedhur nga shqiptarët, për t’u shërbyer shqiptarëve. Siç diskutuam edhe gjatë vizitës sime në Prishtinë, është koha të intensifikojmë, shumëfishojmë kontaktet dhe zgjerojmë bashkëpunimim vëllazëror midis dy Kuvendeve tona.
Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës ka edhe një dimension të fuqishëm rajonal dhe evropaist sepse është me rëndësi strategjike, efekte stabilizuese dhe orientuese për perspektivën euroatlantike të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Në këtë konteskt, bashkëpunimi parlamentar është jetik, jo vetëm sepse i jep më shumë legjitimitet bashkëpunimit të institucioneve, por edhe sepse do të kontribuojë drejtpësëdrejti në nxitjen e bashkëpunimit midis qeverive, institucioneve dhe qytetarëve të të dy vendeve.
Bashkë me Kryetarin Konjufca po ndërtojmë një mekanizëm më efikas për ndjekjen e zbatimin e projekteve e marrëveshjeve që arrihen në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive. Për këtë qëllim, në Komisionin Ndërshtetëror, që do të ndjekë ecurinë e marrëveshjeve, propozuam të bëjnë pjesë, përveç ministrave, edhe përfaqësues të komisioneve parlamentare.
Ne kemi shumë sfida të përbashkëta, për të cilat duhet të ndihmojmë e plotësojmë njeri-tjetrin: të përafrojmë legjislacionin e dy vendeve tona si edhe legjislacionin e të dy vendeve me Bashkimin Europian, qeverisja e mire, arsimi, kultura, sporti, rritja e rolit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë, partneriteti strategjik me aleatët e mëdhenj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Ne kemi dëshmuar se jemi konstruktivë dhe bashkëpunimimi midis Kuvendeve tona, madje edhe kjo Tryezë që institucionalizuam sot, është një kontribut tjetër në rolin tonë si faktor paqeje në rajon e më gjerë.