Bashkia e Tiranës jep certifikata për praktikantët e rinj, Veliaj: Një mundësi e mirë për të rinjtë

Një grup studentësh që përfunduan praktikat e punës në Bashkinë e Tiranës morën certifikatat e përfundimit të praktikës, kurse disa prej tyre i janë bashkuar institucioneve publike ku mund të punojnë. Certifikatat u shpërndanë nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi.

“Disa prej jush i janë bashkuar Bashkisë së Tiranës, kurse disa të tjerë e kanë filluar CV-në e tyre me një certifikatë të tillë për të aplikuar për një punë, qoftë në institucionet e varësisë të bashkisë, qoftë në ato të qeverisë qendrore ose në privat. Por, përmes këtij programi jam i sigurt se keni kuptuar bazat e asaj që është lidershipi”, tha Veliaj në fjalën e tij.

Duke i cilësuar si “kolegët” e së nesërmes, kryebashkiaku tha se të rinjtë do të kenë gjithë mbështetjen e nevojshme për të ecur përpara. Ai i inkurajoi të rinjtë për të ndërmarrë nisma, ndërsa theksoi se destini i qytetit është rritja e tij e vazhdueshme, si një vend mundësish, që pret krahëhapur investimin jetësor të secilit prej qytetarëve të tij. “Mezi pres të dëgjoj historitë tuaja të mëdha, që ju do realizoni në këtë qytet, i cili për shumicën prej jush është shtëpia juaj e re. Nuk e di nëse do ishte një qytet tjetër kaq i hapur sa Tirana. Ky qytet, që kur u caktua se do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë, vetëm është rritur dhe do të rritet, si një zemër e madhe dhe një derë e hapur për të gjithë”, u shpreh Veliaj.

SHKARKO APP