BE-ja përgënjeshtron Ramën: I kemi kërkuar sqarim për marrëveshjen e Portit të Durrësit
Kryeministri Edi Rama, vizitën pa produkt në Bruksel, e shiti një fitore për qeverinë, pasi sipas tij nga tamiket mori vetëm mbështetje dhe vlerësime. Por jo gjithmonë është ashtu siç shefi i qeverisë e paraqet situatën. Pikë së pari, marrëveshja e qeverisë shqiptare për zhvillimin e portit të Durrësit nga kompania Emaar, duket se i ka hapur probleme Shqipërisë në Bruksel.
Dosja.al ka raportuar dy ditë më parë ekskluzivisht debatin që u zhvillua me dyer të mbyllura mes komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, shefit të Politikës së Jashtme në BE, Joseph Borrell dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.
BE-ja kërkoi sqarime nga qeveria shqiptare nëse kjo marrëveshje shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Por kryeministri Edi Rama, e mohoi dje më forcë një shqetësim të tillë të ngritur nga BE. Në përgjigjen dërguar via email, Delegacioni i BE në Tiranë, konfirmon se BE është në dijeni të marrëveshjes dhe kërkon sqarime nga Shqipëria.
“BE-ja është në dijeni të marrëveshjes së përfunduar në nëntor të vitit të kaluar midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila përfshin një rizhvillim të madh të portit të Durrësit. BE-ja u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të japin sqarime për të vlerësuar përputhjen e marrëveshjes me Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit midis BE-së dhe Shqipërisë”,-thuhet në përgjigjen për Dosja.al nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Edi Rama jo vetëm që mohoi që në Bruksel të ishte vënë para përgjegjësisë për këtë marrëveshje, por me ironi dhe tallje tha se këto lajme janë “fakte alternative të një bote paralele të ndërtuar me lajme të rreme“. Rama tha se në Bruksel as nuk ishte përmendur fare kjo çështje.