Begaj takim me anëtarë të komunitetit arbëresh në Kalabri: Jeni urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në rajonin e Kalabrisë, ku u takua me komunitetin arbëresh në disa prej komunave historike si Andali, Marceduza, Cervicati, Mongrassano, Plataci, Santa Caterina Albanese, Frascineto, San Demetrio Corone, San Benedetto Ullano, San Cosmo Albanese, Castroregio dhe Cerzeto.
Gjatë takimeve, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e arbëreshëve si një urë e fortë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë, duke i cilësuar si bartës të një trashëgimie kulturore dhe historike që bashkon dy popuj me rrënjë dhe vlera të përbashkëta.
“Këtu gjithçka flet për një lidhje të përjetshme mes dy kombeve, një histori dashurie, miqësie dhe vëllazërie që i ka bërë Shqipërinë dhe Italinë më të afërta se kurrë,” u shpreh Presidenti.
Ai bëri thirrje për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës arbëreshe, duke inkurajuar që trashëgimia kulturore të përcillet brez pas brezi. “Çdo fjalë në arbërisht, çdo rrëfim i një gjyshi apo gjysheje është një gjurmë gjallë e kulturës sonë që rifillon të jetojë,” theksoi Begaj.
Presidenti e përmbylli vizitën me një mesazh të qartë: arbëreshët nuk janë thjesht një kujtim i së shkuarës, por një urë drejt së ardhmes së përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë.
Duke përmendur figura të rëndësishme të letërsisë, kulturës dhe politikës arbëreshe, Presidenti i Republikës u shpreh se tek arbëreshët ai sheh rojtarët më të mirë të shpirtit identitar, të gjuhës, kulturës dhe riteve fetare.
“ Gjithçka këtu më bën të mendoj se gjuha jonë, gjuha arbëreshe, gjuha shqipe, ka rojtarët e vet këtu në Kalabri”.
Presidenti Begaj u ndal dhe në angazhimin e përbashkët të institucioneve të të dyja vendeve për të paraqitur në UNESCO dosjen e “Motit të madh”, një mënyrë e mbrojtjes së kësaj pasurie kulturore gjuhësore dhe ruajtje e riteve fetare, së bashku me kostumet plot ngjyra e gjallëri si pasuri jomateriale e njerëzimit.
“Ishte poeti i madh Zef Serembe që arriti të transformonte dhembjen e mërgimit me dashurinë për atdheun me vargjet aq të bukura, që janë të përjetshme. Ishte heroi Terenc Toçi, figurë e shkëlqyer e angazhimit civil dhe politik, një pioner i idesë së një Shqipërie moderne, një Shqipërie demokratike e të lirë. Këta shembuj dëshmojnë se ju jeni më shumë se një komunitet, jeni më shumë se një qytet, është një zë kujtese, një zë drite, një zë shprese.”
Në këto komunitete, që janë pjesë integrale e jetës italiane, por me një ndjenjë të thellë përkatësie shqiptare, Presidenti ftoi që kjo marrëdhënie e veçantë shpirtërore duhet të materializohet me një fuqizim dhe forcim të marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimeve tregtare dhe shtim të bashkëpunimit mes Rajonit të Kalabrisë dhe rajoneve të ndryshme në Shqipëri.

“Ftoj cilindo qytetar, italian, arbëresh dhe shqiptar, të gjithë së bashku të promovojmë dhe të nxisim më fort projekte bashkëpunimi dhe shkëmbimi kulturor e ekonomik midis Shqipërisë dhe Italisë. Të nxisim dhe të promovojmë projekte që rrisin shkëmbimet midis studentëve, midis artistëve të rinj, të inkurajojmë bizneset shqiptare dhe ato italiane të ndërtojnë partneritete të besueshme, partneritete në sektorë të turizmit, në sektorë të agrikulturës, në sektorë të artizanatit, sepse vetëm kështu marrëdhëniet tonë do të forcohen”, u shpreh Presidenti Begaj.
Pas kësaj vizite, nën kujdesin e Presidentit tre komuna arbëreshe do të kenë në sheshet e tyre simbolin e forcës arbëreshe: bustet e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Nga këto sheshe Presidenti Begaj shprehu bindjen e tij se vizioni evropian i shqiptarëve është rruga e drejtë që na forcon e na zhvillon.
“Besoj te forca e kësaj miqësie, besoj te forca e kësaj vëllazërie, besoj te këta tri flamuj që janë pas nesh: flamuri shqiptar, flamuri italian dhe flamuri i Bashkimit Evropian, që së bashku jemi më të fortë dhe do të bashkëekzistojmë përjetë”, theksoi Kreu i Shtetit.

KOHA JONË SONDAZH

