Bejko sulmon Berishën: Koha kur halli i Berishës ishte edhe halli i PD ka përfunduar
Nënkryetari i PD-së, ka postuar në Facebook një video të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe sulmon këtë të fundit, duke thënë se nuk ka synim të rrëzojë Edi Ramën, por mundohet të mbajë peng Partinë Demokratike për hallin e tij.
Sipas Roland Bejkos, koha kur halli i Berishës ishte halli i PD-së, ka mbaruar.
“Koha kur halli i Berishës ishte edhe halli i PD ka përfunduar. Berisha t’i qajë hallet e veta bashkë me Ramën në SPAK”, shkruan Bejko.
Non grata vijon të tallet pa u skuqur me njerëzit që ende i besojnë revolucionit të tij imagjinar me prova gjenerale.
Nuk duhet marrë seriozisht.
Sali Berisha është ortaku më i vlefshëm i pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Të dy mbajnë njëri-tjetrin.
Fatkeqësisht, siç tashmë është fakt, non grata ishte pengesa e demokratëve për të ardhur në pushtet dhe është sot arsyeja e përçarjes mes tyre.
Sali Berisha nuk ka si synim të rrëzojë Edi Ramën, por thjeshtë mundohet të mbajë peng Partinë Demokratike për hallin e tij dhe të familjes së tij, që siç e faktojnë dhe shpalljet non grata, nga Britania e Madhe dhe SHBA, është zhytur në korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
Por koha kur halli i Berishës ishte edhe halli i PD ka përfunduar.
Berisha t’i qajë hallet e veta bashkë me Ramën në SPAK.
Partia Demokratike është në rrugën e saj për t’u shndërruar në alternativën që duan dhe presin shqiptarët
Ps: Dëgjoni sesi mashtron pa i’u dridhur syri Sali Berisha. Ja çfarë thoshte për marrëveshjen e 17 majit 2017 kur ende nuk kishte mbi shpinë damkën e aleatëve strategjikë.
/Panorama online